Universiteti i Gjirokastrës nderon profesor Fatos Tarifën me titullin “Doctor Honoris Causa”

Universiteti i Gjirokastrës ka organizuar dje ceremoninë e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për Prof. Fatos Tarifa, Phd me motivacionin: “Personalitet me ndihmesa origjinale në fushën e sociologjisë politike, të historisë e të lëvizjeve progresive të mendimit; erudit dhe qytetat i shenjuar; me ndikim të vlerësuar dukshëm në jetën e sotme të shoqërisë shqiptare; mbrojtës e përurues i denjë i vlerave të krijuara nga populli shqiptar në rrjedhë të kohërave; me kontribute akademike e të kërkimit shkencor të një rëndësie parësore në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës.”

Në ceremoni ishin të pranishëm personalitete akademike, si rektori i UET, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, Prof.Dr. Ksenfon Krisafi, akademiku Pëllumb Xhufi, autoritete vendore dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij rektori i UGJ, Prof. Dr. Bektash Mema pohoi se në rrjedhën e dekadave profesor Tarifa prezantohet si një nga intelektualët më vizionarë dhe me kontribute nga më të vlerësuarat. Ai e ka cilësuar Prof. Tarifën si kërkues me origjinalitet të spikatur, studiues i të tashmes dhe vizionar i të ardhmes. “Ndër vite Universiteti i Gjirokastrës ka zhvilluar politikat e tij edhe përmes ideve vizionare të prof. Tarifës”, u shpreh rektori Mema.

Zv/rektorja e UGJ, Prof. Asoc. Valbona Duri paraqiti prezantimin e rekomandimeve mbi të cilat ky institucion bëri akordimin e titullit “Doctor Honoris Causa” për Prof. Dr. Fatos Tarifën.

Në fjalën e tij, rektori i UET, Prof. Dr. Tonin Gjuraj e quajti Tarifën një personalitet dinamik e poliedrik, i cili endet mes diplomacisë, kërkimit shkencor dhe akademisë, “duke na kujtuar çdo ditë se pasurimi i vetes dhe zbulimi i interesave të reja është një proces, i cili nuk ndalet kurrë”.

“Fatos Tarifa është një figurë e rëndësishme e diplomacisë shqiptare. Si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai është përpjekur të përmirësojë imazhin e vendit tonë nëpër botë, duke shpalosur në ato vende ku ka punuar më të mirën e kulturës sonë, traditave dhe identitetit tonë kombëtar. Pajisur me taktin e maturinë e diplomatit dhe dijen e thelluar të akademikut, Fatos Tarifa ka ditur të jetë një zë dinjitoz i Shqipërisë në arenën politike ndërkombëtare.

Kërkimi shkencor është një tjetër dimension për t’u nënvizuar dhe lëvduar tek profesor Tarifa. Si sociolog, studiues i teorive politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ai është autor i shumë librave dhe i shumë artikujve të botuar në revistat shkencore më prestigjoze, brenda dhe jashtë vendit. Çdo ditë që kam punuar me të, kam qenë dëshmitar i skrupolozitetit me të cilin analizon teoritë e përpunon të dhënat, skrupolozitet që më lumturon, sepse është fat të punosh me akademikë, të cilët kuptojnë peshën e veprës së tyre dhe përgjegjësinë që kanë ndaj lexuesit, dijes, por edhe qytetit a vendit ku jetojnë e punojnë.

Megjithatë, tek Fatos Tarifa unë kam parë, respektuar e vlerësuar më shumë pedagogun dhe mentorin e dedikuar”, tha Gjuraj, duke shtuar se të rinj nga të katër anët e botës kanë pasur fatin të jenë pjesë e klasave dinamike, sfiduese, plot materiale studimore, me mendim kritik e reflektues të profesor Tarifës.

Mes emocionesh dhe nostalgjisë për vendin e origjinës, Prof. Dr. Fatos Tarifa ka falenderuar të pranishmit për vlerësimin, ndërsa u shpreh se Gjirokastra për të zë një vend të veçantë. Ai shprehu gatishmërinë e një bashkëpunimi konkret institucional dhe personal, duke risjellë në vëmendje edhe marrëveshjen e bashkëpunimit mes UET dhe UGJ.