Universiteti i Gjirokastrës, qeveria shkarkon 4 anëtarët e Bordit të Administrimit

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot pas mbledhjes së qeverisë vendimet për plotësimin e 8 kërkesave të studentëve. Krahas të tjerave ai foli edhe për shkarkim të anëtarëve të bordeve të administrimit në universitetet publike të vendit. Sipas Ramës, de fakto 4 përfaqësuesit e qeverisë në këto borde janë të shkarkuar, por do të qëndrojnë në detyrë deri në zgjedhjen anëtarëve të tjerë.

Kryeministri tha se ky do të jetë një proces transparent që pritet të përfundojë në pranverë të vitit të ardhshëm. Një prej anëtarëve të bordit, si përfaqësues i qeverisë, do të propozohet nga vetë studentët. Ai mund të jetë një personalitet apo figurë e spikatur që e zgjedhin vetë studentët. Në Universitetin ‘Eqrem Çabej’ në Gjirokastër 4 anëtarët e shkarkuar janë Lindita Rova; Ismail Zeko; Odise Kote dhe Artemis Malo.