Urimi i kryebashkiakes së Libohovës për Vitin e Ri 2016

Happy-New-Year-2016-Wallpapers

Nga Luiza Mandi

Të nderuar qytetarë të Bashkisë Libohovë!

Në natën e ndërrimit të viteve kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Bashkisë Libohovë t’ju uroj përzemërsisht gëzuar Vitin e Ri 2016. Të shpresojmë se ky vit do të jetë më i mirë se ai që lamë pas, me më tepër gëzim, realizime dëshirash, punë dhe mbi të gjitha shëndet.

 Gjatë vitit 2016 me mbështetjen qeveritare do të realizojmë një sërë investimesh në Bashkinë Libohovë, investime që synojnë rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik të gjithë zonës.

Përkundër vështirësive të momentit e mundësive të kufizuara financiare që ka në dispozicion Bashkia Libohovë, jam e bindur që ne nuk do e humbasim për asnjë moment optimizmin dhe vullnetin e mirë për Libohovën, Zagorien, Nepravishtën, Bulon, Labovën, Suhën, Stegopulin dhe çdo fshat tjetër të kësaj njësie vendore.

Nuk duhet të harrojmë se gjërat që na bashkojnë janë më të shumta sesa ato që na ndajnë, prandaj ju ftoj të bëheni pjesë e përpjekjes sonë të përbashkët për një të tashme dhe të ardhme më të mirë në Libohovë. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja.

Për shumë vjet gëzuar!