Vangjel Tavo ka kërkuar largimin e drejtorit të Policisë në Gjirokastër?

Deputeti i LSI-së në Gjirokastër, Vangjel Tavo, ka reaguar ashpër sot ndaj Policisë së Shtetit, njësoj siç kanë bërë ditët e fundit zyrtarë të tjerë të LSI-së. Ndonëse nuk e përmendi me emër, Tavo la të kuptohet se i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, largimin nga detyra të drejtorit të Policisë Gjirokastër, Arjanit Arapi.

“Drejtuesit e policisë janë pozicionuar politikisht. Tahiri t’u mësojë rolin që kanë drejtuesve të policisë. Këta drejtues janë duke dëmtuar LSI-në. I kam kërkuar Tahirit largimin e këtyre drejtuesve, pasi Jugu i Shqipërisë është i gjelbëruar. Policia të merret me punën e saj, jo me politikën. Disa drejtues policie bashkëpunojnë me trafikantët- ka thënë sot Tavo.

Arjanit Arapi ka marrë drejtimin e Policisë së Gjirokastrës në gusht të vitit 2015, pas transferimit të Kastriot Skënderit. Përpara se të vinte në Gjirokastër, Arapi ka shërbyer si Drejtor i Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Më shumë sesa një shqetësim real për çështjen e kanabisit në Shqipëri, duket se “shpërthimi” i koordinuar i LSI-së kundër Policisë së Shtetit, lidhet më së shumti me lëvizje të pritshme politike brenda mazhorancës. Ndoshta LSI po përgatit terrenin për t’u larguar nga koalicioni për “çështje parimore” dhe një prej tyre mund të jetë lufta kundër kanabisit.

Nuk gjen dot shpjegim tjetër se përse kaq papritur LSI shfaqet e shqetësuar për kanabisin, aq më tepër që në këtë stinë zor se ka parcela të kultivuara.