Vangjel Tavo, mjeku gjinekolog që ‘shpallet’ veteriner…

Nga një mjek obstetër-gjinekolog që është në të vërtet me profesion, Vangjel Tavo është “shpallur” dje në Gjirokastër nga Ilir Meta edhe mjek veteriner që kujdeset për kafshët, në mënyrë të veçantë për lopët e sëmura.

Të paktën nëse i besojmë asaj që Ilir Meta tha dje gjatë fjalës së tij në takimin e LSI-së në Gjirokastër.

“Unë jam krenar që kam bashkëpunëtor dhe që keni këtu në krye të këtij ekipi një njeri të jashtëzakonshëm si Vangjel Tavo, që njeh jo vetëm të gjithë gjirokastritët, tepelensit dhe përmetarët, që di jo vetëm hallet e tyre, por që kujdeset edhe për lopët e sëmura të tyre”, u shpreh Meta para mbështetësve të LSI-së në Gjirokastër në një përpjekje për t’i bindur ata që t’i besojnë sërish votën Vangjel Tavos.

Megjithatë nëse i besojmë fjalës së Ilir Metës, duhet thënë se Vangjel Tavo nuk rezulton i suksesshëm si mjek veteriner. Jo më larg se para disa ditësh në fshatin Zhulat kishin ngordhur disa lopë për shkak të dermatozës nodulare, një sëmudje që krijoi jo pak probleme te gjedhët në mbarë vendin dhe në rajon.

Por  me siguri që në krahasimin e Metës për Tavon s’ka asgjë të vërtetë sepse është thënë thjesht sa për të motivuar elektoratin. Vangjel Tavo vazhdon të mbetet mjek obstetër-gjinekolog dhe deputet pa shkëputje nga puna prej 20 vitesh dhe si për çudi kandidon sërish për deputet.

/ArgjiroLajm.net/