Vangjel Tavo nuk i bindet marrëveshjes Meta-Rama, sulmon policinë nga mediat greke

Pavarësisht armëpushimit mes PS dhe LSI me shkarkimin e Ylli Manjanit, paqja në koalicion është e vështirë për t’u vendosur. Vangjel Tavo ka shfrytëzuar orët e fundit të së martës, për të hedhur disa akuza të fundit nga një televizion grek, “Tv Star”.

“Policia të mos mbështesë  kriminelët, por të merret me problemet e njerëzve, me grabitjet, bastisjet, me vjedhjet. Mbjellja e kanabisit këtu është kthyer në një fenomen dhe në shumë raste policia ka lidhje me personat që kultivojnë kanabis. Dje i quajta kriminelë”, tha Tavo për “TV Star”. Zërat kundër Saimir Tahirit në LSI, pritet të zbehen pak nga pak. Ilir Meta vendosi t’ua mbyllë gojën ministrave dhe deputetëve të tij, me një kod heshtjeje, pas të cilit ende nuk është e qartë çfarë fshihet.