Vdekja e 93-vjeçares nga Gjirokastra, rrëfehet e bija: Ja pse e bëmë denoncimin

fbdfb“Nëna ime nuk mund ta vriste veten. Ne denoncuam në polici 2 javë pasi e varrosëm nënën, pasi donim të dinim vetëm të vërtetën”. Kështu shprehet për “Gazeta Shqiptare” Gjylfidane Hila, vajza e 93-vjeçares Bukurie Aliko, e cila u deklarua e vdekur në Gjirokastër në 10 tetor të këtij viti. Vajza e të moshuarës jeton në Tiranë dhe pranon që të sqarojë se çfarë ka ndodhur me nënën e saj dhe arsyen se përse ajo bashkë me të afërm të tjerë kanë kërkuar nga policia nisjen e hetimeve për vëllanë e saj, Sharaf Alikon dhe bashkëshorten e tij, Donikën pas dyshimeve se ata të dy e kanë shtyrë 93-vjeçaren drejt vetëvrasjes apo më keq akoma ta kenë vrarë atë. Pas këtij denoncimi, policia vuri në pranga 66-vjeçarin dhe gruan e tij, ndërkohë që vijojnë akoma hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Ju keni qenë një nga personat që kanë bërë denoncimin në polici, çfarë ka ndodhur konkretisht?
Denoncimin e kam bërë jo vetëm unë, por e gjithë familja ime. Dhe në fakt ne kemi kërkuar që të zbardhet e vërteta. Vëllezërit e mi, nipat dhe mbesat e mia dhe unë duam të dimë vetëm të vërtetën sepse nuk na u tha e vërteta. E kërkuam njëherë të vërtetën nga ata që jetonin me nënën dhe ata nuk na e thanë të vërtetën. Denoncimi në polici u bë më pas.
Po çfarë ndodhi që ju bëtë denoncimin, vutë re diçka që nuk shkonte në trupin e nënës suaj apo kishit dijeni për probleme të mundshme mes nënës dhe vëllait tuaj?
Në fakt denoncimi ka ardhur shumë më vonë, sepse u bë varrimi një herë dhe më pas u morëm vesh me vëllanë tjetër që ishte në Itali dhe kishim dyshimet tona sepse nuk na u tha e vërteta e plotë, edhe kur pamë trupin patëm disa dyshime dhe për këtë pyetëm nusen dhe vëllain që jetonin me atë që edhe nëse ishte e vërtetë që nëna ime të mos kishte vrarë veten ne t`u jepnim dënimin familjar. U bë varrimi, pritëm dy javë sepse nuk ishte një vendim i lehtë dhe më pas vendosëm t`i drejtoheshim policisë.
Ju dyshoni se nëna është vetëvrarë apo është vrarë?
Shumë ndryshim nuk ka mes vrasjes dhe vetëvrasjes, sepse edhe për vetëvrasjen të shtyn dikush ose diçka për të bërë një veprim të tillë. Pastaj nëna ime me natyrën që kishte nuk do e bënte kurrë një vetëvrasje. Vrasjen e bën vetë përballë personi tjetër, ndërsa vetëvrasjen mund ta detyrojë personi përballë. Por, këtë gjë nuk na e sqaruan mirë, nuk pranuan gjë dhe ne kërkojmë vetëm të dimë të vërtetën.
Keni folur me vëllanë tuaj që jetonte me nënën lidhur me dyshimet tuaja?
Kemi folur, shkuam 9 veta dhe u thamë që na tregoni të vërtetën dhe çdo gjë do mbetet këtu brenda nesh. Nuk pranuan asgjë dhe na akuzuan edhe ne se e keni bërë juve, sepse nëna sipas atyre nuk ishte mirë që kur ishte kthyer nga Italia ku kishte shkuar tek vëllai tjetër.
Ju mendoni që e ka shtyrë vëllai me nusen drejt vetëvrasjes?
Në shtëpi ka qenë vetëm nusja e vëllait dhe prandaj ne donim që të na shpjegonte se çfarë kishte ndodhur.
Pas denoncimit tuaj çfarë ju kanë thënë?
Nuk na kanë thënë asgjë, ne presim përgjigje.
Po me vëllanë tuaj flisni aktualisht?
Jo, nuk kam folur sepse vëllai im është brenda, është i arrestuar.

Duke klikuar ketu mund te lexoni edhe rrefimin e nuses dhe djalit te 93-vjecares, qe jane arrestuar me dyshimet per vrasjen e te moshuares.