Vdekja e Dritëro Agollit, mesazh ngushëllimi nga kryebashkiakja e Libohovës
Nga Luiza Mandi
Si shumë shqiptarë të tjerë që u ligështuan për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Dritëro Agolli, dëshiroj dhe unë të shpreh një mesazh ngushëllimi për familjen, të afërmit dhe miqtë e tij. Dritëro Agolli ishte një personalitet i jashtëzakonshëm i letrave shqipe dhe me kontribut të vyer në periudha historike të ndryshme të vendit, si gjatë komunizmit ashtu dhe pas tij. Shkrimtari dhe poeti erudit ndonëse ndrroi jetë, ka lënë pas një trashëgimi shpirtërore që do ta kishte zili çdo komb tjetër. Dhe njerëzit e mëdhenj dallojnë prej të zakonshmëve pikërisht prej asaj që lënë pas, veprës së tyre e cila nuk humbet kurrë. Sot s’ka shqiptarë, i madh e i vogël, që të mos ketë lexuar qoftë edhe një varg të Dritëro Agollit. Edhe brezat e rinj do të rriten e edukohen me letërsinë e tij brilante. Sërish ngushëllime dhe uroj që shpirti i tij të prehet në paqe!