Vdekja e elektriçistit, mesazh ngushëllimi nga Luiza Mandi për Vangjel Zerën

Luiza-Mandi-283x3001-283x300Eletriçisti Vangjel Zera që humbi jetën tragjikisht një ditë më parë, është përcjellë sot për në banesën e fundit. Ceremonia mortore u zhvillua në fshatin e tij të lindjes, Labovë.

Ndërkohë kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi, ka bërë një mesazh ngushëllimi në faqen e saj në Facebook. Mandi e konsideron të parkohshme ikjen e Vangjel Zerës, teksa vlerëson punën e tij ndë vite. Më poshtë mesazhi i plotë i kryebashkiakes.

Të nderuar miq,

Dëshiroj të ndaj me ju edhe përmes kësaj hapësire komunikimi një mesazh ngushëllues për ndarjen nga jeta të elektriçistit Vangjel Zera.  Është njerëzore që familja e tij, bashkëshortja, fëmijët dhe të afërmit e ndjejnë shumë dhimbjen e kësaj ikje të parakohshme, por jam e bindur  se kjo dhimbje përkthehet në respekt dhe mirënjohje të pakufishme nga çdo njeri që e njihte Vangjelin.

Ngjarja e djeshme na ka lënë pa fjalë të gjithëve, prandaj nuk e kam të lehtë të përshkruaj këtë moment të vështirë. Sidoqoftë më lejoni t’ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta personale dhe institucionale, për humbjen e jetës së njeriut tuaj të shtrenjtë. Ndaj me ju dhimbjen e këtij momenti për ikjen tragjike të një njeriu, që nuk do t’i mungojë vetëm familjes dhe njerëzve të tij të dashur, por edhe kolegëve dhe gjithë banorëve të zonës tonë, ku Vangjeli ka shërbyer prej vitesh.

Përveçse një familjar i përkushtuar, bashkëshort i mirë dhe prind shembullor, Vangjel Zera do të kujtohet ndër të tjera edhe si një njeri profesionist, elektriçist i zoti dhe i papërtuar për Libohovën, Labovën, Suhën, Nepravishtën dhe çdo fshat të zonës tonë.

Ikja e tij e parakohshme është një humbje e madhe edhe për ndërmarrjen  ku Vangjeli ka dhënë kontribut prej dekadash. Zanatçinj si ai, rrallë të jepet mundësia t’i njohësh apo të mësosh prej tyre. Uroj që nën gjurmët e Vangjel Zerës të ecin ata të rinj që ai i mbajti afër deri ditën e fundit, duke i mësuar profesionin e elektriçistit.

Ne i jemi të gjithë mirënjohës Vangjelit, për sa na ka dhënë ndër vite. Edhe njeherë ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij.

Zoti ju dhëntë forcë dhe qetësi shpirtërore.

U prehtë në paqe shpirti i tij!

Me respekt,

Luiza Mandi