Vdekja mes zjarrit në Tepelenë: Si u futa mes flakëve për të shpëtuar nipin e kunatën
Një ditë pas tragjedisë së ndodhur në qytetin e Tepelenës, ku u dogj e gjallë 35-vjeçarja Elona Shehu dhe djali i saj 8 muajsh, banesa ku ata jetonin me qira është kyçur për shkak të vlerësimit të provave nga grupi hetimor dhe krejtësisht e shkrumbuar.
Ndërsa, dy trupat e karbonizuar të nënës dhe foshnjës së saj u varrosën pasditen e djeshme në Bënçë, fshatin e lindjes së Elona Shehut. Ndërkaq, të afërm të Genci Shehut dje treguan rrethanat e sakta të ngjarjes së rëndë.
Oldrin Beca, djali i dajës së Genci Shehut, njëkohësisht edhe zjarrfikës në repartin e Tepelenës, tha se ishte i pari që u fut mes flakëve për të shpëtuar nipin dhe kunatën. Ai pohoi se pjesëtarët e familjes Shehu kanë qenë të gjithë në banesë në kohën kur ka pasur rrjedhje gazi, por fatkeqësisht nuk e kanë kuptuar.
“Ishte koha kur Genci mbaroi pushimin e drekës dhe do të shkonte tek lokali që e kishte marrë me qira prej pak kohësh. Vetëm pak metra pasi kishte dalë nga apartamenti, ai ka dëgjuar shpërthimin, ndërsa ka parë djalin e madh 9-vjeçar që ka dalë me vrap nga shtëpia që kishte marrë flakë. Elona, e cila kishte mbetur brenda e bllokuar thërriste të shoqin për ndihmë, ndërsa ka qenë e pamundur që të shuheshin flakët, pavarësisht ndihmës së fqinjëve. Na janë dashur vetëm 4 minuta që të shkojmë në vendngjarje, pasi ishim në gatishmëri sepse bashkia kishte organizuar festën e fundvitit”, pohoi efektivi zjarrfikës, njëkohësisht i afërm i dy viktimave.
Gjithashtu, Oldrin Beca tha se “kam harxhuar dy bombola me oksigjen. Tymi ishte i dendur dhe era e gazit e fortë. Bombola me të cilin ngroheshin pjesëtarët e familjes së Gencit ka qenë krejtësisht e amortizuar. E kam gjetur kunatën mbi foshnjën. Kjo është një tragjedi e rëndë për ne. Ajo që na vret më shumë janë lajmet e pasakta. E sikur të mos mjaftonin të gjitha, flasin për zjarrfikësit. Unë jam vetë në këtë detyrë dhe në këtë rast kisha të bëja me familjarët e mi, por edhe sikur të mos ishin të mitë, ne këtë detyrë kemi, të sakrifikojmë për të mbrojtur të tjerët. Ky rast ka qenë i vështirë, një fat i keq për familjen”, e shpreh Beca. Nga ana tjetër, fqinjët e viktimave dhanë versionin e tyre për ngjarjen. Ata thanë se ka qenë tymi i dendur që u ka depërtuar në banesa, ai që i ka shqetësuar dhe i ka vënë në lëvizje për të mësuar se ç’po ndodhte.
Berti Gjergo, fqinji më i afërt i familjes Shehu, u shpreh në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se gazi që kishte rrjedhur nga tubat e çarë të sobës së ngrohjes kish mbushur gjithë shtëpinë, ndërkohë që viktima Elona Shehu ishte përgjumur. Sipas tij, shpërthimi i zjarrit ka ndodhur pasi ajo ka ndezur dritën e dhomës.
Kur e kuptuat se banesa në krah ishte përfshirë nga flakët?
Nuk e kuptuam menjëherë. Dëgjuam fillimisht një si shpërthim, më pas ndiem erën e tymit që na hyri në shtëpi. Ishte bashkëshorti i Elonës, Genci që na trokiti në derë dhe na kërkoi ndihmë. “Po digjet shtëpia”,- na tha.
Dëgjuat të bërtitura? A kërkoi ndihmë Elona?
Jo, ajo nuk bërtiti. Kur ra zjarri, ajo doli jashtë menjëherë. Më pas u fut brenda për të marrë fëmijën. Më pas pati një valë të fortë zjarri e tymi, aq sa nuk mund të shihje njeri me sy. U mbulua i gjithë pallati me tym dhe Elona nuk doli më.
Po ju, u përpoqët ta shuanit zjarrin?
Hodhëm kova e legenë me ujë e rrugica, por ishte e pamundur. Lajmërova zjarrfikësen të vinte. Ne na u duk kohë e gjatë deri sa erdhi zjarrfikësja, po ajo ishte punë momenti. Ndodhi gjithçka sa hap e mbyll sytë. Zjarrfikësit hodhën ujë e shkumë, po kishte marrë fund ajo punë. E gjetën nënën mbi foshnjë, e kish mbuluar me trupin e saj.
Cili mendon se ka qenë shkaku i zjarrit?
Ka pasur rrjedhje të madhe gazi. Ndihej era kudo. Gabimi i Elonës ishte se ajo ndezi dritën dhe atë moment ka shpërthyer flaka.