Vdekja nga antraksi në Libohovë, DSHP dezinfekton shtëpinë e 56-vjeçarit, digjen rrobat e tij
Dy ditë pas vdekjes nga antraksi të 56-vjeçarit nga Libohova, Enver Maçi, Drejtoria e Shëndetit Publik në Gjirokastër ka marrë masa për të dezinfektuar banesën e tij dhe trajtuar familjarët për të shmangur çdo lloj rreziku të mundshëm.
“Në shtëpinë e të ndjerit kemi kryer të gjitha detyrat që parashikon protokolli i sëmundjes së antraksit (plasjes), kemi dezinfektuar ambientin ku i ndjeri ka jetuar, si dhe kemi djegur rrobat e tij. Gjithashtu kemi dhënë antibiotiko-terapi për personat e tjerë të familjes”, ka thënë sot për mediat mjeku specialist Xhelo Brahimi.
Më tej ai është shprehur se deri më tani janë evidentuar 9 raste të prekjes nga antraksi, ndërsa ai i Libohovës me pasojë vdekjen mbetet më i rëndi.
Brahimi tha se situata mbetet problematike.
“Drejtoria e Shëndet Publik në Gjirokastër nga informacionet që merr prej spitalit rajonal, konfirmon se janë 9 raste të të prekurve me antraks, përfshi edhe rastin e fundit në Libohovë. Nuk është një situatë e qetë. Ne si shërbim shëndetësor i bëjmë thirrje edhe njëherë qytetarëve që të bëjnë kujdes me konsumin e mishit, i cili duhet të jetë i çertifikuar prej shërbimit veterinar”, shtoi Brahimi.