Veliaj te shkolla profesionale e Gjirokastres: Te fokusohemi te zanatet, jo te gjitholloget

veliaj2Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, në lidhje me arsimin profesional, është shprehur se është e rëndësishme të fokusohemi te zanatet dhe jo te gjithollogët, për të cilët, sipas Veliaj, tregu nuk ka nevojë.

Ai ka vizituar shkollën e mesme profesionale “Thoma Papapano” në Gjirokastër, ku deklaroi rëndësinë që po tregon qeveria ndaj arsimit profesional, si mundësia më e mirë për t’u punësuar.

“Kjo shkollë është e vetmja që ofron kurse dhe arsim profesional në qarkun e Gjirokastrës, prandaj dua t’i ftoj prindërit që këto ditë janë në dilemë për shkollimin e fëmijëve të tyre, të zgjedhin arsimin profesional si mundësi reale për punësim në të ardhmen”, tha Veliaj.

Ai sugjeroi kurset e teknologjisë së informacionit, të cilat shkolla “Thoma Papapano” i ofron me një kabinet dhe staf të ri. Ministri bëri me dije se të rinjtë që do të studiojnë në shkollat profesionale do të marrin edhe bursa të plota për konviktin dhe shpenzimet e arsimimit të tyre.

“Nëse dikush nga zonat rurale vjen në Gjirokastër për t’u arsimuar, do të ketë mundësi të përfitojë nga sistemi i bursave që qeveria shqiptare ofron për të promovuar arsimin profesional”, deklaroi ndër të tjera ministri Veliaj

Libohova Online