Vëllezërit Keta “reklamojnë” Shqipërinë në Muenchen Tv

keta-300x169Në datën 19 Shkurt në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, Mike Gjetan Keta do të sfidojë turkun Gokalp Ozekler për titullin Interkontinental të federatës prestigjoze WBC.

Një sfidë që rikthen emocionet e boksit profesionist në vendin tonë, e cila do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e Supersport. Boksieri shqiptar dhe vëllai e njëkohësisht trajneri i tij, Ismail Keta aktualisht po vazhdojnë fazën përgatitore në Mynih të Gjermanisë. Kjo përballje e rikthen Tiranën në vëmendjen e mediave ndërkombëtare pasi sfida e këtij muaji ka një peshë mjaft të madhe në boksin botëror për faktin se një fitore e mundshme e boksierit shqiptar, do t’i hapte rrugën për t’u ndeshur përtej Atlantikut, në arenën prestigjoze të boksit amerikan. Në Mynih ku edhe po stërviten aktualisht, vëllezërit Keta ishin të pranishëm në kanalin prestigjoz Muenchen TV ku folën gjatë në emisionin “Sport Arena” përballë gazetarit Daniel Stok për ndeshjen e 19 Shkurtit por shkuan edhe më tej, duke promovuar vlerat turistike të vendit tonë.

Vëllezërit nga Bulqiza u shfaqën në televizionin gjerman të veshur me bluza ku reklamohej Shqipëria si një destinacion i mundshëm turistik për të gjithë gjermanët. Kampionët Shqiptarë theksuan se Shqipëria është një vend tërheqës që kërkon të konfirmohet në hartën e turizmit ndërkombëtar. Fillimisht ishte Gjetan Keta ai që sqaroi se ndeshja do të zhvillohet në Tiranë për titullin interkontinental dhe më pas Ismaili u ndal më gjatë te kjo temë duke reklamuar aspektet më interesante të vendit të tij të lindjes. Në vijim të intervistës, Ismaili sqaroi se Gjermania është vendi që u dha mundësinë për të arritur nivelet më të larta në sportin e boksit dhe kik boksit, ndërsa Shqipëria mbetet vendi ku ata janë rritur dhe do të vazhdojnë të punojnë që nëpërmjet sportit të promovojnë sa më shumë vlerat e shëndosha për shoqërinë.

Ai vuri theksin gjithashtu tek mikëpritja si një vlerë e popullit që përfaqëson. Në pritje të sfidës së 19 Shkurtit ku Gjetani do të kërkojë titullin Interkontinental, vëllezërit Keta e kanë fituar ndeshjen e tyre, atë të përpjekjeve që ata po bëjnë për ta mbështetur sa më fuqishëm vendin e tyre edhe nëpërmjet sportit që i bëri të suksesshëm në të gjithë botën./SuperSport