Vendimi i sotëm i qeverisë, ja sa duhet ta keni mesataren për t’u pranuar në universitet

Pamje-nga-Universiteti-i-GjirokastresNë mbledhjen e sotme të qeverisë është marrë vendimi për të përcaktuar notën 6 si mesatare për t’u pranuar në Institucionet e Arsimit të Lartë për vitin akademik 2016-2017.

“Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë, nota mesatare për pranim në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2016-2017, të jetë 6 (gjashtë)”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Ja si behet llogaritja e mesatares

Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm:

  1. a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e  mesëm të lartë;
  2. b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore.

Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim.

Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit bazuar në përcaktimet e pikës 2, të këtij vendimi, me përjashtim të rasteve kur nuk aplikohen provime mature, maturë shtetërore apo provime lirimi. Në këto raste me vendim të komisionit përkatës përcaktohet mënyra e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës përcjell të dhënat tek njësitë arsimore vendore dhe tek Agjencia Kombëtare e Provimeve.

Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Provimeve, institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë, njësitë arsimore vendore, dhe institucionet e arsimit të lartë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.