Vetëm nga një sms, Alpo Tv dy kronika kundër mjekut të Libohovës

LibohovaDrejtoria e Shëndetit Publik në Gjirokastër ka nisur verifikimin e një ankese ndaj mjekut kardiolog, Agim Zdrava, i cili prej disa kohësh punon në qendrën shëndetësore “Llukman Hasani” në Libohovë.

Bledi Ahmetaj, shefi i Sektorit të Monitorim-Vlerësimit në këtë drejtori tha për Alpo Televizion se po ndiqen procedurat normale të shqyrtimit të kësaj ankese.

Por cila është ankesa dhe ku u paraqit ajo? Bëhet fjalë për një mesazh të shkruar i dërguar gjatë transmetimit të emisionit “Dritare” ditën e premte po në Televizionin Alpo. I ftuar në atë emsion ishte kreu i PD-së Gjirokastër, Roland Bejko. Mesazhi ishte dërguar nga një numër që përfundon me 424 dhe përmbajtja e tij ishte si më poshtë:

“Të lutem pyete pak z.Bejko se ku duhet të ankohemi për shëdetësinë, pasi mjeku i emëruar së fundi në Libohovë, z.Agim Zdrava, jo vetëm që nuk e gjejmë në vendin e punës në të cilin duhet të jetë përditë, por i sorollat banorët e zonës duke mos i lëshuar rekomandime për te mjeku specialist, me pretekste të ndryshme se vizitat i bën ai vetë kur të gjithë e dinë që z.Zdrava nuk është mjekt i përgjithshëm por është kardiolog dhe përveç fushës së tij nuk mund të diagnostikojë sëmundje të tjera”, përfundon mesazhi i teleshikuesit që pretendonte se ishte nga Libohova.

Megjithatë ka disa momente që duhen veçuar në këtë histori, e cila më shumë ngjan si një përpjekje për të linçuar publikisht një mjek. Së pari Alpo Televizion pretendon se ankesat ndaj mjekut Agim Zdrava “kanë ardhur nga disa qytetarë libohovitë”, kur në fakt ishte vetëm një mesazh i mbërritur në studio. Nuk kemi të bëjmë me disa ankesa.

Së dyti, si e verifikoi ky televizion që mesazhi ishte realisht nga një qytetar nga Libohova, pasi kushdo mund të shkruajë mesazhe dhe të pretendojë se është nga Libohova apo çdo vend tjetër. Po sikur mesazhi të ishte dërguar qëllimisht nga një person që ndoshta kërkonte thjesht të shfrynte një duf me mjekun Zdrava për arsye nga më të ndryshmet?

Jo çdo banalitet që mbërrin me mesazh në studio mund të lexohet dhe të bëhet fakt i kryer, kur minimalisht nuk ke dëgjuar edhe palën tjetër. A e mori mundimin Alpo Televizion të pyeste mjekun Zdrava se si qëndron e vërteta e kësaj ankese? Pse mori si të mirëqënë një mesazh të mbërritur në studio nga një numër çfarëdo, pa pyetur më parë edhe vetë mjekun?

Qytetari që ka dërguar mesazhin dhe që pretendon se është nga Libohova, mund të jetë realisht nga Libohova dhe ankesa e tij të qëndrojë, por furtuna në gotën bosh dhe linçimi që Alpo Televizion po i bën mjekut Agim Zdrava janë të tepërta.