Vetëvarjet, reagon PD Gjirokastër: I larguan nga puna në administratë

logo-pd1Lidhur me dy ngjarjet e fundit në Gjirokastër, ku Piro Njocko dhe Muharrem Majko i kanë dhënë fund jetës duke u vetëvarur në kushte të rënda depresive, ka reaguar sot edhe Partia Demokratike. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, kryetari i sapozgjedhur i degës së kësaj partie në Gjirokastër, Roland Bejko, është shprehur se të dy viktimat ishin larguar nga puna në administratë prej disa muajsh.

“Mungesa e shpresës për të siguruar minimumin jetik, humbja e vendeve të punës për shkak të bindjeve politike, varfëria e tejskajshme ekonomike dhe mos pasja e një alternative tjetër punësimi i ka zhytur qytetarët e Gjirokastrës në një gjendje të rëndë depresioni”, – ka thënë Bejko.

Sipas PD, Piro Njocko ishte i punësuar si inspektor mjedisi, ndërsa Muharem Majko punonte si infermier në spitalin rajonal “Omer Nishani”. Dy ngjarjet e rënda janë shënuar në harkun kohor të 48 orëve.