VIDEO/ Tv GJ dhe Alpo Tv fshehin debatin mes Zamira Ramit dhe Dasho Qelit

 VIDEO/ Tv GJ dhe Alpo Tv fshehin debatin mes Zamira Ramit dhe Dasho Qelit

Alpo Tv GjShkarkimi “live” para kamerave i Dasho Qelit nga kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami dhe debati mes tyre ishte një ngjarje që mori vëmendje edhe në mediat kombëtare. U pasqyrua jo sepse u bë hataja që iku një drejtor dhe erdhi një tjetër, por më së shumti për shkak të arrogancës dhe prepotencës që shfaqte kryebashkiakja Zamira Rami. Megjithatë, qytetarët e ndoqën në mediat kombëtare dhe portalet online debatin mes Ramit dhe Qelit. Interesant ishte pasqyrimi që kësaj ngjarje i bënë dy televizionet lokale, Tv Gjirokastra dhe Alpo Televizion.

Edhe pse janë dy media në shërbim të kryebashkiakes Zamira Rami dhe LSI-së, prapë ka diferenca mes njëra-tjetrës. E përbashkëta e të dy televizioneve në këtë ngjarje është se edhe Alpo Tv edhe Tv Gj e fshehen për publikun pjesën e debatit mes Zamira Ramit dhe ish-drejtorit të Ujësjellësit Dashamir Qeli. Në edicionet informative të asaj dite, kjo ngjarje ishte lajmi i parë, por nuk u transmetua pjesa e debatit Rami-Qeli.

Megjithatë, Televizioni Publik Gjirokastra në fund të kronikës kishte shtuar edhe faktin që ish-drejtori Dashamir Qeli e konsideronte të paligjshëm shkarkimin e tij. Ndërkohë që Alpo Televizion, i vënë në shërbim të LSI-së kohët e fundit, pas lajmit për shkarkimin e Dasho Qelit, kishte sajuar një tjetër kronikë si fletë-rrufe dhe me një gjuhë që të ngjallte krupën kur e dëgjoje.  “Gazetarët” e këtij televizioni kishin zbuluar se koshat në Ndërmarrjen e Ujësjellësit ishin mbushur plot dhe se në lavaman kishte filxhane kafeje të palarë. Po citojmë më poshtë pjesë nga kronika:

“Gjatë filmimeve në emërimin e drejtorit të ri Ujësjellës-Kanalizimeve, kamerat e Alpo Televizion dhe gazetarët e saj u përballën me korridoret e kësaj drejtorie me kosha plehrash të mbushur me kapacitete të plota dhe të paderdhua ndoshta prej ditësh. Në lavamane të mbushur me pjata e thika e pirunë apo filxhanë çaj e kafeje, duke treguar se neglizhenca dhe disiplina në qendrën e kësaj ndërmarrje kanë nevojë për ndryshimin urgjent të situatës”, thuhej ndër të tjera në kronikë. Por pompoziteti i fjalëve të gazetares nuk kishte lidhje fare me pamjet që mbulonte kronika.

Shfaqeshin thjesht disa kosha të vegjël, që kishin brenda mbetje normale si ato që krijohen zakonisht nëpër institucione (copa letrash, bisht cigareje, qese etj) e që nuk ishin zbrazur ende sepse ndoshta ishin lënë për në fund të ditës. Por nuk kishte ndonjë situatë alarmante siç Alpo Tv mundohej ta paraqeste. Më tej në një lavapjatë ishin edhe disa filxhanë kafeje në pritje për t’u larë.

Zakonisht në institucione publike, por edhe kompani private, ka makineta kafeje apo eksprese të vegjël për punonjësit që konsumojnë kafe. Ndërsa punonjësit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Gjirokastër me sa duket e bënin vetë kafen dhe më pas filxhanët i lanin në lavapjatën që kishin aty. “Problemi” sipas Alpo Tv është se përse “gazetarët” e këtij televizioni nuk i gjetën filxhanët e larë dhe koshat e zbrazët.

Në fund kronika mbyllej me një urim për drejtorin e ri, Bashkim Tola dhe me shpresën se pas ardhjes së tij në këtë institucion do të mbizotërojë pastërtia.

Në fakt gjithçka është një shfaqje tejet e shëmtuar që qytetarëve të Gjirokastrës po u serviret si pjatë e ftohtë nga mediat lokale të kontrolluara prej kryebashkiakes Zamira Rami. Të bësh PR (Marrëdhënie me Publikun) është një gjë krejt tjetër nga propaganda si e kohës së Gebelsit, që tenton të bëjë LSI-ja në Gjirokastër përmes dy televizioneve lokale që kontrollon.

Për të qenë korrekt deri në fund, vlen të përmedet fakti së në dallim nga Alpo Tv dhe TV GJ, televizioni tjetër lokal, Channel 7, e transmetoi pjesën e debatit mes Zamira Ramit dhe Dashamir Qelit.

Më poshtë mund të shihni videot e dy televizioneve, Alpo Tv dhe Tv GJ dhe mënyrën si e kanë pasqyruar ato ngjarjen.

|Libohova Online|

Libohova Online