Votimi i buxhetit, përçahen këshilltarët e PD-së në Gjirokastër

keshilli bashkiak gjirokasterKëshilli Bashkiak i Gjirokastrës ka miratuar sot mes debatesh buxhetin e vitit 2016.

Këshilltarët e djathtë edhe pse shfaqën kundërshti me këtë buxhet, në momentin e votimit nuk arritën të mbanin një qëndrim unanim, pasi një prej tyre bashkoi votat me këshilltarët e majtë. Këshilltari i PD-së, Arben Rexha, dha një prej 23 votave në favor të buxhetit. 8 këshilltarë votuan kundër.

Ndërkohë kreu i këshilltarëve të djathtë, Roland Bejko tha se ky buxhet e sheh ndryshe qytetin e Gjirokastrës nga njësitë administrative që e përbëjnë atë. Sipas tij ka shumë pak para të planifikuara për investime në njësitë administrative.

Në tërësi sipas të djathtëve, buxheti i vitit 2016 për Bashkinë Gjirokastër ka më shumë para të destinuara për administratën sesa për investime publike. Ata gjithashtu votuan kundër miratimit të strukturës së re të administratës së bashkisë. Buxheti i vitit 2016 për Gjirokastrën është rreth 923 milionë lekë. Por granti i akorduar nga qeveria është më i ulët se i vitit 2015. |Libohova Online|