Vrasja në rrugën Poliçan-Suhë, identifikohet autori i krimit, policia në operacion për kapjen e tij

Personi i cili vrau me sende të forta Gëzim Saraçin, telefonoi të afërmit e tij menjëherë pas ngjarjes. Mësohet se autori i krimit të rëndë që ndodhi pasditen e sotme në aksin rrugor rural, Polican-Suhë, sapo ka zbritur nga kamionçina ka marrë në telefon familjen e tij. Nga kjo telefonatë, mësohet se është kuptuar se gjatë përleshjes me 57-vjeçarin që mbeti i vdekur, edhe vetë autori i ngjarjes ka mbetur i plagosur.

Gjithsesi, ai tashmë është identifikuar dhe po kërkohet nga policia, por terreni ka krijuar vështirësi.  Pas krimit të rëndë, autori mësohet se është nisur drejt zonës krah lumit të Suhës dhe terreni i thyer malor e bën të vështirë gjetjen e tij. Ngjarja e rëndë ndodhi pasiditen e sotme. Autori po udhëtonte me viktimën Gëzim Saraçi, në kamioncinën e këtij të fundit dhe gjatë rrugës u konfliktuan. Gjatë sherrit, ai e goditi 57-vjeçarin me sende të forta në kokë, duke e lënë të vdekur. Ende nuk dihet motivi që nisi këtë konflikt që përfundoi me një viktimë.