Vrau kushëririn për borxhin, ende në arrati 28-vjeçari nga Gjirokastra
Policia e Gjirokastrës dhe grupe të FNSH vazhdojnë kërkimet për të kapur autorin e vrasjes dhe plagosjes së djeshme në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë.
Burime nga policia e Gjirokastrës thonë se autori Endrik Lluka është fshehur në zonat malore të fshatit të vjetër të Shtëpëzit, çka e vështirëson kërkimin e policisë edhe për shkak të terrenit. Në të njëjtën kohë, uniformat blu po bëjnë kërkime edhe brenda qytetit të Gjirokastrës, pasi dyshohet se Endrik Lluka mund të ndihmohet edhe nga ndonjë i mik i tij.
Konflikti me armë mendohet se ndodhi për shkak të borxheve që autori u kishte dy vëllezërve që i qëlloi me armë, Dorian dhe Birbil Lluka. Autori dhe dy vëllezërit janë kushërinj me njëri-tjetrin dhe nga shkëmbi i zjarri humbi jetën Dorian Lluka dhe mbeti i plagosur rëndë me dy plumba pranë zemrës vëllai i tij.
I plagosuri u dërgua dje me helikopter në Tiranë për të marrë mjekim më të specializuar. Mbrëmë uniformat blu vunë nën pranga pas hetimeve të shpejta edhe bashkëpunëtorin e Endrik Llukës, Emiljano Vockën 23 vjeç, si bashkëpunëtor në krim. Policia thotë se Vocka ishte personi që i solli armën tip pistoletë Endrik Llukës, me të cilën qëlloi mbi dy vëllezërit.
Autori është djali i një punonjësi policie në komisariatin e Gjirokastrës, ndërsa viktima dhe i plagosuri janë nipërit e bashkëshortes së Dasho Alikos, ish-kreut të komunës Lazarat.