Zagoria mes antikitetit dhe bukurisë natyrore

E vendosur mes maleve, gati e izoluar, dikur ka qenë një nga zonat më të mëdha industriale ku tregtarët shkonin posaçërisht për të furnizuar dyqanet e tyre. Nga monumentet historike që kanë ngelur edhe sot e kësaj dite arrijmë të kuptojmë se ka qenë e tillë edhe gjatë Perandorisë Osmane.

Urat e fashme të Zagorisë janë prova e gjallë e kësaj të vërtete. Ka qenë Ali Pashë Tepelena ai që sipas gojëdhënës popullore i dhuroi Zagorisë urat e famshme të Nivanit dhe Hoshtevës.

Strukturat që përtej gojëdhënës bartin gjithë hiret arkitektonike të periudhës, janë dëshmitare shekullore të rrugëtimeve të karvaneve të tregtarëve.

Ato i dhanë jetë në fillim të shek.XIX komunikimit jo vetëm tregtar, por edhe shpirtëror mes Gjirokastrës dhe Përmetit.

Karvanet që vinin nga Gjirokastra kalonin mbi urën e Hoshtevës, në Hoshtevë, në Gjurmëmushkë, në Buhaj, në Lipë e përfundonin në Përmet, ndërsa itinerari i dytë më i rëndësishëm që kalonte mbi Urën e Nivanit ndalej më pas në Manastirin e Nivanit, ndërtim i vitit 1777, vijonte në Nivan, Sheper në Qafën e Dhëmbelit e më pas në Përmet.

E ndërtuar me një qemer guri të dyfishtë rreth 1,1 m të gjerë dhe hapësirë drite rreth 15 m, ura e Hoshtevës ofron një prej peisazheve më mahnitëse mbi lumin e Zagorisë.

Ura e Nivanit përfaqëson një strukturë më komplekse me 2 harqe guri dhe një hapësirë rreth 20 m.

Të dyja urat janë të mbuluara me kalldrëm, përkatësisht 28 m dhe 40 m të gjatë.

Sot, ato, veç funksionit të tyre rajonal për kalimin e kafshëve dhe të njerëzve, janë kthyer në objekte të vizitueshme për historinë, kuriozitetin dhe arkitekturën e veçantë të tyre. Duhet thënë gjithashtu që kjo zonë ka një faunë të mrekullueshme dhe të pakrahasueshme me asnjë zonë tjetër. “Mali i Çajupit”, siç njihet ndryshe vargu malor Trebeshinë – Dhembël – Nemërçkë dhe Shëndëlli – Lunxhëri – Bureto, lartësia më e madhe e të cilit  shënohet në majën e Papingut, malit të Nemërçkës e ku midis tyre ndodhen lugina e Zagorisë dhe e Pogonit, është një vend i pasur me ujë dhe kripëra minerale, gjë që lejon që pothuajse çdo bimë të lulëzojë dhe pothuajse çdo kafshë dhe insekt të ketë habitatin e tij.

Urat e Zagories dhe sidomos fshati, ia vlen të vizitohet të paktën një herë, e kështu të mund të marrësh me vete gjithë historinë dhe qetësinë që e karakterizon këtë vend./konica.al