Zagoria, një potencial turistik i harruar

puenteNga Qirjako Kasapi

Kjo krahinë me histori të spikatur të karaktereve jetësorë të banorëve të saj fisnikë e bukuri të pa zakonta natyrore meriton të zbulohet. Por kjo trevë e begatë që i dha Shqipërisë  personalitete të shquara si; A.Z.Çajupi, Mihal e Diogjen Harito, Aristidh Ruci, Ilia Dilo Sheperi e shumë kontribute të tjera intelektuale që kanë lënë emër të nderuar në sektorët e ndryshëm të  ekonomisë, shkencës, politikës e kulturës shqiptare,ka mbetur e harruar dhe pa asnjë mbështetje atje pas maleve nga merr jetë dhe emri i saj- Zagorie. Duhet thënë fillimisht se krahina e Zagorisë, përbëhet nga 10 fshatrat e saj piktoreske: Sheper, Nivan, Ndëran, Topovë, Konckë, Hoshteve, Liar, Vithuq, Doshnicë dhe Zhej. Qendra e Komunës ndodhet në Nivan, rreth 45 km, larg nga Gjirokastra..Me ndarjen e re administrative ajo bën pjesë në Bashkinë  e Libohovës… Para historia e saj daton qysh në shekullin e X, ku popullsia e saj ishte autoktone dhe në vitin 1431-1432, ka pasur 188 familje me 1600 banorë.

Sipas regjistrit të vitit 1583 numri i banorëve mësohet të ketë arritur deri në 3300 banorë dhe fshati më i madh rezulton të ketë qenë Sheperi me 600 shtëpi. Rritja e popullsisë në krahinë ka ardhur si rrjedhojë e migrimeve të shumta nga krahinat e Labërisë, Kolonjës, apo zona të tjera që ruajtën fenë kristiane nga persekucionet e invadorëve të ndryshëm. Deri në gjysmën e shek XIX popullsia arriti në 4300 banorë..Mungesa e tokës për prodhim bujqësor, vështirësitë e jetesës dhe ato natyrore, etj., kanë qenë arsyet pse banorët e kësaj zone emigruan në Stamboll, Greqi, Francë, Misir dhe në  fillim të shek. XX në Amerikë dhe Kanada, pa llogaritur këtu lëvizjet e ndryshme migratore. Pra në shekujt e XVIII-XX, rreth 75- 80% e fuqisë punëtore zagorite jetuan dhe punuan në emigracion.

Lugina e Zagorisë përshkohet nga një gjatësi prej27 km, kurse pellgu ujëmbledhës i saj është rreth 171 km2. . Zagoria është vendosur në lartësinë rreth 750 m, mbi nivelin e detit dhe bukuritë e saj natyrore shpalosen në gjithë fshatrat e saj duke kulmuar kështu tek ujëvara impresionuse “Rrema e Doshnicës”, me një lartësi rreth 20 m.Rruga automobilistike që lidh Zagorien me Gjirokastrën u përurua në vitin 1961, telefonizimi i saj  u krye  më 1967 dhe në vitin 1969 përfundoi elektrifikimi i gjithë fshatrave të krahinës. Po ashtu u ndërtuan vepra të domosdoshme social-kulturore në shërbim të arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe jetës shoqërore në të.

 Zagoria sot, një realitet shqiptar që duhet ndryshuar

Shërbimet jetike që cituam më sipër për banorët zagoritë sigurisht sot  nuk ekzistojnë prandaj infrastruktura rrugore cilësore për tu lidhur me qendrën e qarkut (Gjirokastrën) mbetet problem i saj parësor. – Kur i takon banorët e Zagorisë do prezantohesh fillimisht me buzëqeshjen, kulturën dhe fisnikërinë që buron nga edukata që kanë trashëguar nga kultura e paraardhësve të tyre që emigruan në Europë, Amerikë e gjetkë. Ata, gjithashtu, janë punëtorë dhe të dashur si vetë natyra miqësore që i rrethon.

Zoti në këtë trevë të begatë duket se ka harmonizuar natyrshëm; ajrin e shëndetshëm dhe të pastër, ujërat e bores dhe diellin, shkëmbinjtë hijerëndë me honet e thella në horizont, ujëvarat që rrjedhin vrullshëm nga lartësitë, ujin kurativ të Beratit, pyjet pa mbarim ,kolorin e luleve shumëngjyrëshe, klimën  e shëndetshme sipas stinëve të vitit ,që të sjellin kështu në memorie një panoramë alpine përtej kufijve tanë ashtu sikurse në Itali, Zvicër, e gjetkë. Por banorët aty, përjetojnë vështirësi të natyrave të ndryshme të ngjashme me ato  të shek , XVIII-XX ..Furnizimi sa e si duhet me ujë, rruga automobilistike e amortizuar, ndërprerja apo tensioni i ulët i energjisë  elektrike, e të tjera  shërbime të domosdoshme për të rritur cilësinë e jetës së tyre mbeten akoma evidente.

Dhe banorët e Zagorisë me durimin e pasosur si dje dhe sot i kanë kthyer sytë nga shteti për më shumë në këtë aspekt. Rruga me parametra bashkëkohore  është premtuar nga forcat e ndryshme politike  që kanë takuar në fushatat elektorale, por ata po përshkruajnë  po atë rrugë që kanë ecur të parët e tyre më shumë se 50 vjet më parë.

Është pikërisht kjo rruga e halleve, por jo e arsyes që nuk i jep kuptim jetës së tyre aty prapa maleve të harruar nga ata që kanë për detyrë ta mirë qeverisin. E pra është mëse  emergjente asfaltimi i aksit rrugor aktual që lidh  Zagorinë me  Gjirokastrën nga Çajupi dhe nga Suha në drejtim të fshatrave të saj. Vetëm kështu, banorët e Zagorisë do të dalin në mënyrë konkurruese në tregjet brenda dhe jashtë vendit me prodhimet e tyre cilësore blegtorale dhe ato bujqësore… Ndërtimi i infrastrukturës rrugore do të sillte shfrytëzimin e  resurseve të mëdha të pa shfrytëzuara deri më sot si; bletaria, pemëtaria blegtoria, agro-kultura, turizmi malor, turizmi familjar, bimët medicinale gjuetia, pasuritë pyjore, hipizmi, hoteleria, kulinaria zagorite e të tjera. – Banorët përshëndesin dhe shprehin vlerësimet e tyre më të mira për të gjithë ata zagoritë që janë angazhuar me kontribute reale ose ofrojnë interesa dhe projekte konkrete për zhvillimin e krahinës së tyre.

Natyra dhe infrastruktura ofrojnë mundësi turizmi

Përfundimi i rrugës së asfaltuar automobilistike, në Nëntor 2011 që lidhi Gjirokastrën me Çajupin është e mirëpritur për zagoritët drejt finalizimit të lidhjes me të gjithë krahinën. Kështu mbledhja dt.11.5.2013 e Këshillit Kombëtar të Territorit, që miratoi pikën 27 të saj “Mbi planin e Përgjithshëm Vendor për Komunën Zagorie “ ishte shpresë dhënëse  për komunitetin zagorit për ta kthyer Zagorinë në një zonë atraktive turistike jo vetëm për banorët e saj por dhe gjithë turistët e atij rajoni e më gjerë. Ishte kjo arsyeja pse në bashkëbisedimet e tyre zagoritët  vlerësojnë  bashkëpunimin e pushtetit vendor në Zagorie me qeverinë para ardhëse. 

Por që atëherë duket se implementimi i saj nuk po realizohet. E megjithatë, me durim e shpresë ata kërkojnë e nxisin bashkëpunimin midis qeverisë aktuale me Bashkinë Libohovë që Projekti i propozuar nga këta të fundit; “Zagoria park Natyror Rajonal” më 25.9.2015. të dakortësohet me ta për t’u zbatuar. Ata duan që Zagoria  të jetë një zonë turistike, sepse duan që vlerat e saj ti prezantojnë e t’i bashkëndajnë me  gjithë shqiptarët. E  për këtë nevojitet një infrastrukturë rrugore bashkë kohore, gjë e cila nuk ekziston.

Një krahinë e pasur që lëngon

Le të kujtojmë këtu faktin se sot do 2 orë e 50 minuta të shkosh nga Gjirokastra në Zagorie, aq sa do të vish nga Tirana në Gjirokastër.. Më parë në Zagorie ka pasur 200 ha të tokës nën ujë kurse sot kjo vjen vetëm si një kujtim i bukur nga e kaluara e saj.  Para viteve 1990, shkolla e mesme e Nivanit numëronte 200 nxënës nga e gjithë krahina dhe zona rreth saj,  kurse sot numërohen me gishtat e dorës ata pak fëmijë të arsimit fillor që arsimohen në Zagorie.

Popullsia e secilit fshat sot numëron rreth 6 herë më pak banorë se shek.XIX Mosha e tretë është ajo që përballet më shumë me problematikën e cilësisë së jetës në këtë krahinë ndërkohë që brezi i  ri  po përshtatet me emigracionin e tejzgjatur ashtu si të parët e tyre në shek XIX. Po ashtu është për t’u evidentuar pozitivisht fakti i kthimit na emigrimi për të kontribuar në vendlindjen e tyre i zagoritëve; Mihal,Thanas e Stathi Puleshi, Lina e Vladimir Telo, Arqile Puleshi, Peço Dede, Arqile Ndreu etj.. Por lind pyetja pse ky frenim i zhvillimit shoqëror, ekonomik e arsimor në  Zagorie, aty ku banorët e saj lusin perëndinë që në këto kushte t’u japë vetëm shëndet e jetë. Arsyeja është se politikat e zhvillimit të Qeverisë Qëndrore të bashkërenduar me pushtetin vendor nuk ka qenë efektive për sa kohë nuk përmbushin  problematikën dhe nevojat më jetike të banorëve të  kësaj krahine të dëgjuar për atdhetari e dije… Dhe derteminues për këtë mbetet mbështetja prioritare nga fondi i zhvillimit urban nga ministria përkatëse, nëpërmjet Agjencisë të Zhvillimit të Territorit  apo buxhetit të qeverisë qendrore në mënyrën më efikase që ajo e gjykon.

Në këto 25 vjet të sistemit demokratik, krahina e Zagorisë duket se lëngon dhe kërkon rilindjen e saj urbane. Dokumentari i transmetuar në një nga kanalet televizive, në  Mars të 2016, kushtuar Zagorisë si një krahinë e braktisur, është sa domethënës aq dhe trishtues, ku shpresa për një ndryshim të shpejtë bëhet imediate.. Prandaj pikëpyetja që ngrihet më së shumti në bisedat e komunitetit zagorit me temë: “Zagoria e harruar kërkon vëmendjen e merituar “mbetet aktuale ...Banorët e zagorisë i kanë të gjitha shanset e integrimit në një Shqipëri tjetër më të mirë se sot me shpresë se nesër do jenë më afër se kurrë familjes së madhe Europiane që kërkojnë të integrohen. E për këtë misioni rregullator i shtetit mbetet primar dhe i pazëvendësueshëm për të bërë më shpejt e më mirë atë që nuk e ka bërë deri më sot./koha jone