Zbardhen detajet, si e lejuan doganierët në Kakavijë kamionin me 1.1 ton hashash (VIDEO)
Policët dhe doganinerët e pikës së kalimit kufitar të Kakavijës nuk pranojnë akuzat, duke justifikuar mos kontrollin, për shkak të fluksit të madh të lëvizjeve. Por kamerat e sigurisë nxjerrin bllof punonjësit e doganës, pasi në pamje nuk dukej fluks i madh. Të arrestuarit do të dalin të premten para gjykatës, për t’u njohur me masat e arrestit me burg. Efektivët e policisë dhe doganierët e pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, të arrestuar për kalimin e kamionit me 1.1 ton hashash, nuk pranojnë akuzën e trafikut të drogës.
Prokuroria për Krime të Rënda mësohet se ka marrë në pyetje dy efektivët e policisë Vladimir Skraparliu e Blerim Mëhilli si dhe doganierin Ylli Rustemi, të cilët kanë mohuar akuzën e bashkëpunimit në trafikun e drogës me shoferin e kamionit, të shpallur në kërkim Qamil Muçaj.
Sipas tyre, pasditën e 16 shkurtit në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës kamioni që drejtohej nga shtetasi Qamil Muçaj i është nënshtruar kontrollit visual dhe më pas është lënë i lirë të kaloi. Ata kanë pretenduar se kontrollin fizik nuk e kanë kryer për shkak të flukstit të madh, që atë orë kishte pika doganore e Kakavijës. Por, pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë dhe kqyrjes së tyre, rezulton se në orën 17:30 minuta të datës 16 shkurt 2017, kohë kur ka kaluar kamioni i ngarkuar me 1.1 ton hashash nuk kishte fluks mjetesh.
Në pamje, thonë hetuesit, veç kamionit në radhë për të kaluar në Greqi ishin edhe dy makina të vogla, çfarë tregon se nuk kishte ngarkesë për efektivët e policisë dhe doganierët, që mos ta kontrollonin fizikisht kamionin. Veç mos kontrollit fizik, hetuesit thonë se kamioni nuk i është nënshtruar kontrollit të skanerit, kjo për shkak se punonjësi i doganës nuk ka urdhëruar që kamioni i ngarkuar me drogë të kaloi në skaner. Kamioni, nuk është peshuar në peshoren që gjendet në Doganën e Kakavijës si dhe efektivët e policisë nuk kanë bërë kontrollin e mjetit me qentë antidrogë që ndodhen 24 orë në pikën e kalimit kufitar.
Sipas akuzës për të gjitha këto mosveprime, grupi hetimor dyshon se punonjësit e doganës nuk kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës por atë të trafikut të drogës, pasi kanë krijuar të gjitha lehtësirat e mundshme që kamioni i ngarkuar me hashash të kaloi kufirin. Me të mbërritur në pikën e kontrollit të shtetit fqinj, kamioni i është nënshtruar kontrollit ku në pjesën ballore të tij është gjetur një dhomë e improvizuar ku ishin fshehur 700 pako me një peshë prej 1147 kg hashash. Kamioni, thuhet nga hetuesit rezulton se është në pronësi të shoferit të shpallur në kërkim, Qamil Muçaj, të cilin e kishte blerë vetëm 37 ditë para se të kapet në kufi me 1.1 ton hashash./Abc News