Zbardhen emrat e personave të tjerë të përfshirë në aferën “Ksera”

dfghdfhdfPolicia e Shtetit ka shpërndarë sot njoftimin e saj zyrtar për arrestimet e mbrëmshme në Gjirokastër, të ish-ministrit Spiro Ksera dhe personave të tjerë të përfshirë në vjedhjen e 300 milionë lekëve të vjetra. Më poshtë njoftimi i plotë i Policisë , ku jepen edhe emrat e personave të tjerë të përfshirë në aferën korruptive të vjedhjes se 300 milionë lekëve të vjetra.

“Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhër-ndalimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke ndaluar shtetasin Spiro Ksera, ish-Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta,  i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Në kuadër të këtij procedimi penal, policia ka ekzekutuar urdhër-ndalimet e Prokurorisë edhe për disa ish-zyrtarë të Ministrisë që z.Ksera ka drejtuar.

Këta ish-zyrtarë janë vënë nën akuzë gjithashtu për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh.

Në Prokurori është depozituar një kallëzim nga ana e Ministrisë së Rinisë dhe Mirëqenies Sociale, ku bëhet fjalë për një investim prej 30 milionë lekësh që duhet të përdoreshin në favor të personave me aftësi të kufizuara, por që nuk janë përdorur për këtë qëllim.

Shtetasit e përfshirë në këtë procedim janë:

Spiro Ksera, 48 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër,  ish-ministër i PÇSHB, i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Artevis Mene, 27 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër,  ish punonjës në Ministrinë e PÇSHB, i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Elda Kozaj,  31 vjeç, lindur ne Fier dhe banuese në Tiranë,  ish punonjëse në Ministrinë e PÇSHB, e dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Pranvera Lile, 58 vjeç, lindur në Gjirokastër  dhe banuese në Tiranë, ekonomiste në Shoqërinë “Shpresa” sh.p.k, si e dyshuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit me inicialet A.K,  A.J, D.F,  për të cilët Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka urdhëruar ndalimin si të dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248 i K.Penal për shpërdorim detyre”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.