Zbardhet buxheti për Luftëtarin, plot 238 milionë lekë të vjetra

 Zbardhet buxheti për Luftëtarin, plot 238 milionë lekë të vjetra

luftetari-470x314Në një kohë që Luftëtari është në rrugën e duhur drejt synimit për t’u ngjitur në Superiore, Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës në mbledhjen e fundjavës së shkuar ka miratuar buxhetin për vitin 2016.  Plot 238 milionë lekë të vjetër është fondi i përcaktuar në dispozicion të klubit gjirokastrit. Por, nga çka mësohet, kjo shumë mund të shtohet, nëse Luftëtari do të bëhet pjesë e elitës në fundsezonin aktual.

Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar se gjithçka ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, teksa është votuar unanimisht nga anëtarët pjesë- marrës, pavarësisht përkatësive politike.

Rritja

Për t’u evidentuar është fakti se Bashkia e Gjirokastrës e drejtuar nga Zamira Rami, e cila është njëkohësisht edhe presidentja e klubit, ka rritur me 70 milionë lekë të vjetër buxhetin për futbollin. Burime konfidenciale të gazetës bëjnë të ditur se investime do të ketë edhe në infrastrukturën sportive. Pritet ndërhyrja në ambientet e brendshme të pallatit të lojërave me dorë, si dhe ambienteve të jashtme të stadiumit “Gjirokastra”.

Donatorët

Edhe pse Luftëtari funksionon si OJF (Organizatë Jofitimprurëse), kontribut të pamohueshëm në arritjet e deritanishme ka edhe biznesi gjirokastrit. Janë rezultatet e deritanishme të Luftëtarit ato që po tundojnë biznesmenë të ndryshëm për të qenë donatorë pranë Luftëtarit. Pa dyshim, Grigor Tavo ka “pjesën e luanit” për kontributin financiar.

Nëse Tavo nuk do të ishte afruar te Luftëtari pesë javë para përfundimit të sezonit të fundit, atëherë sot në Gjirokastër për Luftëtarin do të flitej ndryshe. Aktualisht, skuadra ka bërë një ecuri shumë të mirë dhe renditet në vendin e parë të Grupit B duke qenë në rrugën e duhur drejt elitës.

Libohova Online