Zbulohen çmimet/ Ja sa fituan për kualifikim futbollistët e kombëtares
Rreth 3 milionë euro premio janë shpërndarë ditët e fundit për futbollistët që kualifikuan kombëtaren shqiptare për në Francë 2016.
Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar se ato do të shpërndahen për 32 lojtarë të Kombëtares që kanë qenë pjesë e Shqipërisë gjatë këtyre kualifikueseve. Sipas të përditshme sportive “Shuma prej 3 milionë eurosh është ndarë për lojtarët në “dy kategori”.
Ata që kanë shumë minuta aktivizim dhe kontribut, pra “titullarët” dhe pjesa e mbetur e lojtarëve. Në listën kryesore numëron përafërsisht 19 lojtarë, të cilët do të marrin nga 90 mijë euro për kokë, ndërkohë që në të dytën janë 13 (nga 40 mijë euro).
Ndërkohë, nuk ka njoftime për shumën e përfituar nga De Biasi. Në klauzolën e kontratës së parë të trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazi, ka qenë një pikë prej 200 mijë eurosh që ai i përfitonte automatikisht në rast se Shqipëria do të kualifikohej në “Francë 2016”.