Zbuloni misteret/ Çfarë fshihet brenda shpellës së nuseve të mbytura në Dropull (FOTO)

Një ndër monumentet më tërheqëse të natyrës në rrethin e Gjirokastrës, shpella karstike e Skotinisë,  është në qendër të vëmendjes së grupeve të vizitorëve apo specialistëve dhe eksploratorëve të ndryshëm.  Falë këtij interesimi, të shprehuar jo vetëm nga shqiptarët por edhe të huajt, kjo shpellë karstike me vlera të veçanta natyrore mund të cilësohet si zbulimi turistik  në zonën e Gjirokastrës. Krahas vlerave natyrore, kjo shpellë mbart edhe një historik të veçantë, duke përfshirë edhe ngjarje të dhimbshme siç ishte mbytja e nuseve të reja, ndërsa mbushnin ujë në brendësi të saj.

Sipas legjendës, shpella ka 40 shkallë, të cilat të zbresin në thellësi të saj, në basenin ujëmbajtës. Nuset e reja të cilat mbushnin ujë në shpellë, ndërsa hynin në brendësi të shpellës, të mbuluara nga errësira nisnin të numërornin shkallët që zbrisnin për të arritur në liqenin në brendësi të shpellës. Në qoftëse ato ngatërroheshin gjatë numërimit të shkallëve, atëherë binin në ujë, duke humbur jetën. Dhe në historikun e shpellës të Skotinisë  nuk kanë mungur ngjarje të tilla tragjike.  Por, vizitorët vendas dhe të huaj që janë të pranishëm  në Skotini, shprehin interesimin për vlerat e veçanta natyrore të kësaj shpelle karstike që ndodhet në zonën e Dropullit. Sipas specialistëve, ujërat nëntokësorë që gurgullojnë në brendësi të shpellës, kanë lidhje me burimin e Syrit të Kaltër si dhe furnizojnë Mëmën e Viroit, burimi nëntokësor që i jep jetë liqenit të Viroit.

Janë të shumta portalet vendase dhe të huaja, të cilat kanë publikuar imazhe dhe fotografi nga shpella e Skotinisë duke ndihmuar në promovimin turistik të saj.  Shpella karstike ka qenë edhe në qendër të një dokumentari të transmetuar nga televizioni italian Rai DUE. Ndërkohë kjo shpellë dhe misteret e saj vazhdojnë të eksporohen nga vendasit si dhe të huajt. Shoqatat shqiptare, italiane, polake, etj që kanë në qendër të punës së tyre arkeologjinë nënujore dhe studimet spereologjike,vazhdimisht e kanë përfshirë Skotininë në hartën e eksplorimeve të tyre. Kërkimet e fundit  synonin  eksplorimin dhe elementët studimorë në shpellën e Skotinisë. Krahas elementëve studimorë në shpellën e Skotinisë eksplorimet dhe zhytjet në ujrat nëntokësorë të saj, kanë patur si qëllim përgatitjen e arkeologëve të rinj  nënujorë  si dhe vlerësimin e pasurive të tilla natyrore në Shqipëri.

“Ne, pohojnë zhytësat e ndryshëm kemi qenë edhe një herë tjetër në këtë shpellë, por menduam të kthehemi sërish pasi kjo shpellë dhe vetë burimi nëntokësor i saj na u duk me mjaft interes”. Gjatë eksplorimeve në Skotini grupet e spereologëve, zhytësave dhe studiuesve vendas dhe të huaj kanë parë nga afër elementët natyrorë të shpellës së Skotinisë dhe të burimit nëntokësor që mer jetë prej saj. “Me kërkimin speleo- nënujor në shpellën e Skotinisë  ne kishim si objektiv të nxirrnim elementë  të  rinj  të panjohura  më  parë”, thonë kërkuesit  në Skotini.

Sipas tyre, nëpërmjet eksplorimeve  nënujore dhe rilevimeve të përmasave  hidrogjeologjike që realizuan, ata do të kuptojnë shtrirjen dhe tipologjine e kësaj shpelle të veçantë por edhe të basenit ujëmbledhës nëntokësor të saj. Specialistët kanë realizuar  disa zhytje eksploruese për të evidentuar përmasat e shpellës në  pjesën e mbuluar me  ujë dhe elementë studimor të tjerë që lidhën më ambjentin natyror të shpellës dhe burimit nëntokësor të Skotinisë.

“Në zhytjet e kryera me shumë  sukses në shpellën e Skotinisë megjithëse në kushtet e shumë vështirësive të paparashikueshme të terrenit dhe ambjenteve nënujore, ne kaluan nëpërmjet një tuneli nënujor  nga ambjenti hyrës i shpellës,  ku aktualisht ndodhen edhe reliket e një stacioni zhytës pompimi në  një  zgavër tjetër nënujore”, thonë  zhytësit. Eksploratorët dhe zhytësit arritën të kapnin një thellësi vertikale 55 m nën ujë, përgjatë burimit nëntokësor, thellësi kjo që sipas tyre vazhdon akoma më shumë dhe që mbetet të eksplorohet.

Misionet kërkimore në shpellën e Skotinisë kanë realizuar  zhytje eksploruese me qëllim evidentimin e permasave të shpelles në  pjesën e mbuluar me  ujë. Specialistët  thonë se krahas shpellës së Skotinës interes për ta paraqet edhe studimi dhe eksplorimi i burimit karstik të Mëmës së Viroit, një tjetër monumet i natyrës në zonën e Gjirokastrës. “Ne kemi qenë edhe herë tjetër në këtë burim interesant por mendojmë që së shpejti aty të realizojmë një ekspeditë studimore të veçantë”, thonë specialistët. Për ta me vlerat interesante që mbartin këto dy burime, shpella e Skotinisë dhe Mema e Viroit mund të kthehen në pika të preferuara për tu vizituar nga turistët.