Zgjedhjet farsë të PD-së, shumë demokratë në Gjirokastër janë hequr nga listat, kritikëve të Bashës iu mohohet e drejta e votës

Me zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike ka ndodhur ajo që pritej në fakt dhe që ishte paralajmëruar prej kohësh. I gjithë procesi është një maskaradë për t’i dhënë Lulzim Bashës, këtij humbësi recidivist, një mandat tjetër në krye të PD-së. Mes shumë rasteve që e ilustrojnë këtë farsë zgjedhore, po sjellim një nga dega e PD Gjirokastër.

Kandidati për kryetar PD-je në Gjirokastër, Gjergji Dudi, nuk kishte as emrin e vet në fletën e votimit. Jo vetëm kaq, por ia kishin hequr emrin edhe nga lista e anëtarëve të PD me të drejtë vote. Atij dhe familjarëve të vet që janë gjithashtu anëtarë të Partisë Demokratike. I pyetur nga ArgjiroLajm.net për këtë çështje, Dudi është shprehur se njësoj si rasti i tij janë edhe plot të tjetë, që nuk janë lejuar të votojnë ndonëse janë anëtarë të PD-së.

“Kjo është një masakër zgjedhore. Kanë hequr nga listat pikërisht ata që kanë mendim ndryshe dhe kishin paralajmëruar humbjen për zgjedhjet parlamentare. Çdo zëri ndryshe në PD iu është përgjuar madje e mbajtur shënim edhe reagimet në Facebook. Nuk jam unë i vetmi, ka plot demokratë të tjerë që s’kanë votuar sot. Çdo parregullsi do ta dokumentojmë përmes një raporti”, tha Dudi për Argjirolajm.net

Ai kandidonte përballë Dasho Alikos.

E gjithë gara në PD është farsë, njësoj si ajo e katër viteve më parë e po kështu ajo e vitit 2013. Lulzim Basha do të rikonfirmohet në krye të partisë për një mandat tjetër, me shpresën se mbase do të mundë Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme. Por gjasat që kjo të ndodhë duken gjithnjë e më të largëta. Basha përballë Ramës mbetet një humbës i talentuar. /Argjirolajm.net