Zgjedhjet lokale, kandidatët e mundshëm për Gjirokastrën, Libohovën dhe Dropullin

Let-My-People-VoteJemi rreth 6 muaj para zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat do të mbahen ne pranverën e vitit 2015. E veçanta për këto zgjedhje është se do të organizohen për njësi administrative më të mëdha, por të pakta në numër. Nga reforma territoriale që u miratua në korrik, Shqipëria do të ketë vetëm 61 bashki, për të cilat partitë politike do të garojnë me kandidatët e tyre. Në rrethin e Gjirokastrës janë 3 njësi vendore; Bashkia Gjirokastër, Bashkia Libohovë dhe Bashkia Dropull. Edhe pse jemi ende larg ditës së zgjedhjeve, kanë nisur të qarkullojnë emrat e atyre që pritet të garojnë në këto tre bashki. Nuk janë emra zyrtarë, por që kanë dalë në ambiente informale dhe në disa raste formale. Është një taktikë e njohur, që shpesh janë vetë subjektet politike ato të cilat i nxjerrin këto emra, për të testuar në një farë mënyre reagimet e opinionit publik. Do të duhen ende disa muaj për të mësuar zyrtarisht se kush do të hyjë në garën për të fituar tre bashkitë e rrethit të Gjirokastrës, megjithatë deri më tani këto janë emrat e përfolur.

Bashkia Gjirokastër

Pas tre mandatesh të kryebashkiakut aktual, Flamur Bime, koalicioni qeveritar i udhëhequr nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ka nisur piketimet e të tjera figurave lokale. Kandidate të mundshme janë Zamira Rami dhe Lindita Rova, dy zonja që pas 23 qershorit mbajnë poste drejtuese në administratë. E para është në krye të Prefekturës Gjirokastër, ndërsa e dyta në krye të Drejtorisë Arsimore Rajonale. Një tjetër emër i përfolur është edhe mjeku Flamur Golemi, që sot është në krye të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Gjirokastër. Kë do të përzgjedhë koalicioni qeverisës dhe strukturat lokale të partive? Kjo mbetet për t’u parë. Ndoshta nuk është asnjë prej emrave të mësipërm dhe kemi surpriza të minutës së fundit. Një rikandidim i kryebashkiakut Bime flitet se ka pak gjasa të ndodhë, megjithatë gjithçka vendoset në muajt e ardhshëm.

Nga ana e koalicionit opozitar të drejtuar prej Partisë Demokratike, aktualisht përfliten dy emra, Igli Kokalari dhe mjeku Maksim Logli. Partia Demokratike nuk e fiton Bashkinë Gjirokastër prej më shumë se një dekade. Ndoshta në zgjedhjet e ardhshme pritet që raportet e votave t’i ndryshojë disi Lazarati, fshati që është “zemëruar” jo pak me koalicionin qeverisës, pas operacionit kundër parcelave me kanabis dhe që është ndër të tjera bastion i demokratëve. Igli Kokalari është zgjedhur para pak kohësh në krye të PD-së qytetit, ndërsa në kohën e qeverisjes së kaluar ka qenë në krye të Drejtorisë së Shëndetit Publik. Maksim Logli, është një mjek i njohur në Gjirokastër dhe ndoshta mund të jetë i përzgjedhur i koalicionit opozitar. Por surprizat e minutës së fundit nuk përjashtohen.

Bashkia Libohovë

Jo zyrtarisht ka zëra të shumtë që thonë se kandidati i koalicionit qeveritar për këtë bashki do të jetë nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim e që gëzon normalisht mbështetjen e deputetit të kësaj partie në Gjirokastër, Vangjel Tavo. I përfolur është Kristaq Jorgaqi nga fshati Bulo, fare pranë Libohovës. I diplomuar për Arkitekturë, ai ishte një prej personave që u diskutua për t’u emëruar edhe në krye të Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Gjirokastër.  Një tjetër emër është mjekja Luiza Mandi, të cilës iu ofrua mundësia edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2011.

Koalicioni opozitar i drejtuar nga Partia Demokratike, pritet të zgjedhë mes dy emrave, Altin Çomo dhe Adil Xhelili. I pari është kryebashkiak i Libohovës prej dy mandatesh dhe ndoshta mund të kërkojë të tretin, por tashmë në krye të një bashkie më të madhe, me Komunën Qendër Libohovë dhe Komunën Zagori brenda. Për disa vite Çomo ishte edhe në krye të PD-së së rrethit Gjirokastër, post të cilin pas humbjes së 23 qershorit e mori Roland Bejko. Adil Xhelili aktualisht është nënkryetar i Bashkisë Libohovë, ndërkohë që më parë ka mbajtur postin e drejtorit të shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi” dhe shefit të Sektorit të Programeve dhe Zhvillimit në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Gjirokastrës. Cili do të jetë i preferuari i bazës dhe strukturave drejtuese të kësaj partie, kjo do të mësohet zyrtarisht në një të ardhme të afërt.

Bashkia Dropull

Koalicioni qeverisës do të duhet të gjejë konsensus mes tre partive, PS, LSI dhe PBDNJ, për një emër të përbashkët. Deri më tani flitet për Dhimitraq Panajotin, kryetar i PS-së së Dropullit, Dhimitër Maluqin, kryetar i Komunës Dropulli i Poshtëm dhe Mirela Çabeli, aktualisht kryetare e PS-së së fshatit Vanistër. Nëse partitë e koalicionit qeverisës s’do të dilnin me një kandidat të përbashkët, kjo do të favorizonte kandidatin e opozitës. Megjithatë, gjithçka do të varet edhe nga marrëveshjet parazgjedhore mes forcave politike. Nuk përjashtohen surprizat e minutës së fundit.

Opozita e drejtuar nga Partia Demokratike, shikon si kandidat më të përshtatshëm për Bashkinë Dropull, ish-ministrin e Punës, Spiro Ksera dhe deputetin e qarkut Gjirokastër në legjislaturën 2009-2013. Gjatë mandatit të parë të qeverisjes së PD, Ksera ka mbajtur postin e Prefektit të Gjirokastrës. Megjithatë, emri i Kserës lakohet si një kandidaturë e MEGA-s, një tjetër subjekt politik i minoritetit grek në vendin tonë, që pritet të jetë në koalicion me Partinë Demokratike. Megjithatë nuk ka ende vendime të formës së prerë.

Siç u theksua më sipër, emrat e kandidatëve të mundshëm për këto tre bashki të rrethit Gjirokastër, nuk janë ende zyrtarë, por përfliten si të tillë, ndoshta për të testuar reagimin e opinionit publik. Përtej emrave, ajo që dihet me siguri është se pas reformës territoriale, pritet që të kemi kryebashkiakë më të pushtetshëm pasi do të kenë nën administrim një territor më të madh dhe pritet të kenë më shumë kompetenca nga ligji i ri decentralizimit që thuhet se do të miratohet para zgjedhjeve lokale. Por me pushtetin e madh vjen edhe përgjegjësia më e madhe sepse do të duhet të japin llogari përballë një numri më të madh qytetarësh. /LIBOHOVAONLINE