Zgjedhjet lokale/LSI kërkon Bashkinë Gjirokastër, përflitet Tavo si kandidat

ksdjhsdghdfgbKoalicioni qeverisës përfshihet nga ethet elektorale të Lokaleve të 21 Qershorit. Takimi i përjavshëm i të mërkurës Rama-Meta ka shërbyer thjesht për të ndërtuar platformën e ndarjes së bashkive, ku do të garojnë kandidatët e PS dhe LSI-së.

Një burim pranë negociatave i tha Top-Channel se për momentin është duke u diskutuar për Bashkitë e nivelit të parë, siç quhen ndryshe 12 bashkitë kryesore që janë kryeqendrat e 12 Qarqeve te vendit. Vetëm atëherë kur të jetë arritur akordi për këto 12 bashki, palët do të diskutojnë emrat e kandidatëve.

Mësohet se Rama i ka propozuar Metës një projekt “9+3”, që do të thotë se LSI do të marrë kandidatët në 3 bashki dhe PS në 9 të tjerat.

Për cilat bashki bëhet fjalë? Tre bashkitë e propozuara nga socialistët janë ato të Kukësit, Lezhës dhe Beratit për LSI-në, ndërsa 9 të tjerat; ato Shkodër, Korçë, Elbasan, Durrës, Tiranë, Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Laç; të jenë me kandidatë socialistë. Por duket se Meta nuk e ka pranuar këtë formulë.

Negociatat kanë vijuar edhe paraditen e së enjtes në kafenenë e Kuvendit, ku Rama dhe Meta kanë bashkëbiseduar për më shumë se 30 minuta përpara nisjes së seancës plenare.

Burime nga Kuvendi pohojnë se Meta ka kërkuar në këtë takim, që LSI të ketë Bashkitë e Fierit, Beratit, Lezhës, madje edhe Gjirokastrën, si Bashki të nivelit të parë, ndërsa atë të Pogradecit si Bashki të nivelit të dytë.

Kërkesa e LSI-së për Fierin dhe Gjirokastrën e ka komplikuar ekuacionin e mbërritjes drejt një dakordësie. Socialistët nuk duan asesi të humbasin Fierin dhe as Gjirokastrën, bastione të tyre.

E ndërsa aleatët po negociojnë për bashkitë, në selinë e LSI-së, grupi i punës është duke punuar për kandidatët.

Emrat që qarkullojnë në LSI për kadidatë janë: në Bashkinë Berat është Gledion Rahovica, aktualisht deputet; Robert Bitri në Fier, Viktor Tushe në Lezhë, ndërsa për Gjirokastrën Vangjel Tavo. Ndërsa për socialistët, në Bashkitë e nivelit të parë, pavarësisht sesi do të shkojnë negociatat për Fierin dhe Gjirokastrën, duket i pamundur rikandidimi i Baftjar Zeqos dhe Flamur Bimes, ndërkohë që një pikëpyetje e madhe ekziston për Qazim Sejdinin e Elbasanit.

I vetmi që duket në pozita të forta për rikandidimin duket Vangjush Dako, në Durrës, ndërsa në Shkodër për PS-në po bëhen gjithmonë e më konsistente zërat për Keti Bazhdarin.

Paralelisht janë duke u kryer negociata edhe me atë, që mund të quhet “martesa” më e re politike në vend, PDIU-në e Shpëtim Idrizit, i cili ka ambicie për të patur Bashkitë e Konispolit, Patosit dhe për të vijuar së drejtuari atë të Librazhdit.

Por nëse mazhoranca do të arrijë një marrëveshje me PDIU-në, atëherë do të shkohet drejt një marrëveshjeje politike, e cila vlen për t’u parë nëse do të jetë edhe më e gjerë se sa zgjedhjet lokale.

Gjithsesi, java e ardhshme do të jetë vendimtare për koalicionin qeverisës, në konfigurimin e zonave se ku do të kenë kandidatët e tyre.

Burime pranë negociatave shprehen se mazhoranca synon ta ketë përfunduar këtë proces dhe të shpallë kandidatët e saj më 5 mars. / Top Channel