Zgjedhjet, Luiza Mandi kërkon mbështetjen e emigrantëve, i fton të vijnë në Libohovë

Luiza MandiLuiza Mandi, kandidatja e të majtës për Bashkinë Libohovë, kërkon mbështetjen edhe të emigrantëve në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Përmes një postimi në faqen e vet në rrjetin social Facebook, Mandi thotë se vota e emigrantëve është shumë e rëndësishme, njësoj si kontributi që ata kënë dhënë për vendin gjatë gjithë këtyre viteve. Ajo i fton ata të vijnë në Libohovë dhe të votojnë, ndërsa lë të hapur mundësinë për zhvilluar edhe takime me ta në Greqi.

“Këto ditë kam marrë shumë mesazhe nga emigrantë libohovitë dhe gjithë zonës përreth, të cilët jetojnë prej vitesh në Greqi. Përveç përgëzimeve dhe urimeve të rastit, kërkojnë që të shkoj të takohem edhe me ta. Sigurisht që unë e vlerësoj shumë angazhimin e tyre në këto zgjedhje dhe do kem në konsideratë takimin në Greqi. Megjithatë përfitoj nga rasti t’i ftoj edhe njëherë që ata të vijnë ditën e zgjedhjeve për të marrë pjesë në votime. Vota e tyre ka shumë rëndësi, njësoj si kontributi që kanë dhënë për vendin gjatë gjithë këtyre viteve. Emigrantët janë ndoshta grupi i qytetarëve që i shohin më ftohtë zhvillimet në Shqipëri, pa emocione partiake dhe pa interesa të ngushta. Prandaj ata ia duan gjithnjë të mirën Libohovës, Zagories, Nepravishtës, Bulos, Labovës, Suhës dhe gjithë Shqipërisë”,- shkruan Mandi në Facebook.

Libohova dhe fshatrat përreth si një zonë shumë pranë kufirit me Greqinë, kanë një numër të madh të popullsisë së tyre në emigracion, në Greqi. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, vota e emigrantëve luajti një rol shumë të madh në fitoren e koalicionit të majtë.

dfndg