Zgjedhjet, Mirela Kumbaro e Flamur Golemi takim në Lazarat (FOTO)
Mirela Kumbaro dhe Flamur Golemi, kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në Gjirokastër, zhvilluan mbrëmë një takim në fshatin Lazarat, i cili njihet historikisht si basion i Partisë Demokratike.
Por kjo s’i ka penguar kandidatët e majtë të takohen me strukturat e PS-së në këtë fshat.
Flamur Golemi ka postuar në faqen e tij në Facebook foto nga takimi, i cili më pas vijoi edhe më një darkë pune. Ndër të tjera ai veçon tre gjëra nga takimi i mbrëmshëm. Lexoni më poshtë postimin e tij të plotë:
“Në vijim të takimeve me strukturat organizative të Partisë Socialiste, bashkë me ministren Mirela Kumbaro, ishim mbrëmë në Lazarat. Nuk bëj gabim nëse them se ky takim ishte përtej pritshmërive tona, duke u nisur nga fakti që shkonim në një fshat i cili konsiderohet si bastion i PD-së.
Dua të veçoj tre gjëra të rëndësishme. Së pari mikpritja e jashtëzakonshme, që në fakt nuk e dyshoja fare. Së dyti komunikimi i hapur dhe gatishmëria për të bashkëpunuar. Me këtë nuk parasysh vetëm fushatën, por angazhimin për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe jo mure që nda ndajnë.
Së treti, për fat të keq Lazarati sot ëshë lënë pothuajse fare jashtë vëmendjes së pushtetit lokal. Ndonëse është pjesë e Bashkisë Gjirokastër, vëmendja e këtij institucioni ndaj Lazaratit është në nivele të papërfillshme. Besoj se Lazarati kërkon një vëmendje tjetër, nuk ka më kohë për të humbur.
Unë jam i gatshëm të marrë të gjitha përgjegjësitë pas 18 qershorit si deputet i qarkut, për të adresuar të gjitha problematikat e këtij fshati. Më besoni, nuk e them këtë sepse kështu duhet të shprehem meqë jemi në prag zgjedhjesh. Absolutisht jo, Lazarati s’mund të jetë një fshat i lënë mënjanë jashtë vëmendjes së Bashkisë Gjirokastër. Unë do të jem në Kuvendin e ardhshëm zëri edhe i banorëve të Lazaratit.