Zgjedhjet te Shoqata Rajonale e Futbollit në Gjirokastër, Akademia Luftëtari kallëzon penalisht sekretarin e FSHF-së dhe kryetarin e shoqatës

Një ditë pas zgjedhjeve farsë në Shoqatën Rajonale të Futbollit Gjirokastër, Akademia e Futbollit Luftëtari ka depozituar një kallëzim penal në Prokurori kundër Sekretatit të Përgjithshëm të Federatës së Futbollit, Ilir Shulku. Po kështu i kallëzuar është dhe Sadik Sadikaj, kryetar i Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër. Në dokumentin e siguruar nga Argjirolajm.net shihet se objekti i padisë është: Kallëzim i veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, “Shpërdorim detyre”, “Ndërhyrje në sistemet kompjuterike” dhe “Falsifikim kompjuterik”.

Në kallëzim parashtrohen një sërë faktesh kundër FSHF-së dhe Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër për shkeljet ligjore të kryera në procesin e djeshëm, i cili përcaktoi Altin Çomon dhe Xhevit Kaçorrin si delegatë për Asamblenë e FSHF-së më 2 mars. Natyrisht që procesi i dirigjuar prej Armando Dukës dhe njerëzve të tij s’kishte si të mos propozonte atë si kandidat për president të FSHF-së për një mandat të gjashtë. Ish-kryetari i PD-së Gjirokastër dhe ish-kryebashkiaku i Libohovës do të përfaqësojë në Asamble Klubin e Futbollit Luftëtari, ndonëse ky klub është nën sekuestro me vendim gjykate për borxhet e pashlyera.

E po kështu e paqartë se kush është në të vërtetë administratori i Luftëtarit, Vangjel Çavo i “arratisur” jashtë vendit, Enton Dervishi i përmendur në vendimin e gjykatës apo Altin Çomo i përzgjedhuri i Armando Dukës? Përfaqësuesit e 8 klubeve të Shoqatës Rajonale Gjirokastër bojkotuan zgjedhjet pasi kërkuan të ndalej procesi i manipulimit nga Federata Shqiptare e Futbollit për llogari të Armando Dukës. Mbetet për t’u parë këtej e tutje se si do të vendosë drejtësia. ©argjirolajm.net