Zgjerimi i LSI-së në Gjirokastër, një tjetër televizion në shërbim të saj

tmp_26940-pixlr_20160409050402789-2012578791Pas fitores së Bashkisë Gjirokastër në zgjedhjet e fundit vendore, Lëvizja Socialiste për Integrim ka një tjetër synim në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017: Të fitojë dy mandate deputetësh në rang qarku nga një që ka aktualisht. Në funksion të këtij qëllimi ka nisur të përgatitet terreni që tani, kur jemi diçka më shumë se një vit nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.

Përveç pushtetit që LSI ka akumuluar me punësimet në drejtoritë më të rëndësishme në Gjirokastër, si dhe në bashkinë e drejtuar nga Zamira Rami, së fundi në shërbim të saj është vënë edhe një tjetër media lokale, Alpo Televizion. Në Gjirokastër nuk është më sekret fakti që ky televizion është marrë me qera nga biznesmeni Grigor Tavo, vëllai i deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo.

Është një informacion që diskutohet në rrethe gazetareske, por akoma më shumë shihet ashiqare linja pro LSI-së, të paktën në edicionet e lajmeve të ditëve të fundit.

Biznesmeni Grigor Tavo është gjithashtu edhe një prej donatorëve kryesorë të klubit të futbollit Luftëtari, i cili performon mirë në Kategorinë e Parë.

Në kushtet e një tregu të lirë s’ka absolutisht asgjë të keqe që një biznesmen të marrë me qera një televizion, sikundër nuk është ndonjë mëkat i madh që një televizion të jetë në shërbim të një partie politike. Kjo ndodh edhe me mediat kombëtare në Shqipëri dhe natyrisht në mbarë botën ka media që rreshtohen pro një pale apo një tjetre.

Po ku bazohet analiza se Alpo Televizon do të jetë një televizion në shërbim të LSI-së në Gjirokastër?

Ka disa të dhëna që të çojnë në këtë konkluzion.
Së pari është parashikuar që kontrata e qerasë të vazhdojë deri në shtator 2017. Pra, pasi kanë mbaruar zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Së dyti, derisa investitori i ri në këtë media do të jetë vëllai i deputetit të LSI-së, kuptohet që ka për të qenë një media në favor të kryebashkiakes së Gjirokastrës dhe natyrisht deputetit Tavo.

Së treti, mjafton të shihje një kronikë të para tre ditëve në Alpo Televizion, për të kuptuar gjithë filozofinë se si do të jetë ky televizion këtej e tutje. Bëhet fjalë për pasqyrimin që i ishte bërë protestës së PD-së para spitalit rajonal “Omer Nishani”, ku u kërkua dorëheqja e drejtorit Krenar Kulla pas skandalit të denoncuar në “Fiks Fare”.

Kronika e Alpo Televizion ishte fiks si ato fletë-rrufetë që bënte Tv Klan kundër Edi Ramës në kohën kur ai ishte në opozitë. Lajmi i protestës ishte renditur i treti, pasi në fillim ishte një kronikë plot 7 minuta për kryebashkiaken Zamira Rami, por s’ka shumë rëndësi renditja më shumë sesa përmbajtja. Te lajmi i protestës së PD-së ishte kujdesur që në fillim të thuhej se pjesëmarrës ishin vetëm disa anëtarë të forumit rinor të demokratëve, ndërsa qytetarët e zakonshëm nuk morën pjesë.

Më pas kritikohej qëndrimi i PD-së dhe thuhej se protestën e bën thjesht për politikë. Në fund fare merrej në mbrojtje drejtori i spitalit “Omer Nishani” dhe vlerësohej si shembullore puna e tij në këtë institucion. Thuhej që ishin bërë investime për modernizimin e shërbimit etj etj.

Në fakt Alpo Tv ka të drejtë kur thotë se PD-së, nuk i shkojnë qytetarët në protesta sepse nuk kanë besim te ajo, opozita e sotme nuk është ende një alternativë. Ka edhe të drejtë kur thotë që protesta është thjesht për politikë, por kjo s’do të thotë se nuk duhet protestuar nga opozita.

Megjithatë Alpo Televizion nuk mund t’i bëjë “gjyqin” protestuesve të PD-së dhe reagimi i tyre simbolik ndaj skandalit që denoncoi “Fiks Fare”, nuk duhet zhvlerësuar.

Është shumë shqetësuese dhe e patolerueshme që të heshtet kur shkarkimet nga puna në një institucion publik bëhen me letër me vrimë apo kur emërimet bëhen me sms, cilido qoftë drejtori apo partia që drejton. E para që duhet të reagojë është opozita.

Në rastin konkret, për sa denoncoi “Fiks Fare” rezultoi e vërtetë, por sidoqoftë le të merren organet e tjera për shkeljet administrative dhe nëse ka faj ose jo drejtori. Po qe se skandali i shkarkimeve nga puna në spitalin e Gjirokastrës është i vërtetë sipas asaj që transmetoi ‘Fiks Fare”, kjo nuk mund të mbulohet me përkushtimin e drejtorit në punë apo me investimet e bëra, siç thotë Alpo Televizion.

Pra, nga çfarë u tha më sipër dhe ajo që do të shohim këtej e në vazhdim kjo media ka për të qenë në shërbim të LSI-së, ashtu siç ka qenë herë pas here në shërbim të PD-së, PS-së apo interesave të tjera. Tani LSI-së i duhen dy deputetë në rang qarku dhe me siguri do t’i marrë, por terreni nis e përgatitet që tani.

Të kuptohemi, nuk bëhet fjalë për ndonjë televizion me ndikim të madh në Gjirokastër. Në vitet e para të krijimit Alpo Televizion ishte një media private pionere që fitoi simpatinë e publikut në rrethin e Gjirokastrës, por nga keqadministrimi në vite e ka humbur ndikimin.

Madje gazetarët më profesionistë sot në Gjirokastër punojnë në Televizionin Publik Gjirokastra, që edhe pse është zyrtarisht një “kobure” në duart e qeverive, të paktën paguhen më mirë dhe janë të siguruar në punë. Ndërsa Alpo Televizion historikisht ka punësuar në të zezë gazetarët, pa kontrata dhe me rroga nën nivelin mesatar. Për të mos përmendur rrogat e papaguara që u ka ende sot disa gazetarëve.

Investitori i ri në Alpo Televizion ka gjithë të drejtën të bëjë një politikë editoriale sipas interesit të tij, pasi kemi të bëjmë me një media private. Sikundër qytetarët nga ana e tyre kanë të drejtë të zgjedhin se cilat media duhet të besojnë, ato që tregohen objektive me pasqyrimin e ngjarjeve, apo ato që u bëjnë “lavazh truri”. 

|Libohova Online|