Zjarr i madh në Gjirokastër, zjarrfikëset nuk ndërhyjnë dot

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në orët e mbrëmjes, në malin Gjerë të Gjirokastrës. Mësohet se flakët janë shënuar në një zonë të pyllëzuar, çka e bën të pamundur ndërhyrjen përmes forcave zjarrfikëse.

Për momentin nuk raportohet për rrezik të banesave, por nëse do të vijojnë për shumë kohë, flakët do të shkaktonin një katastrofë të vërtetë natyrore në këtë zonë.

Kjo është java e tretë që i gjithë vendi ndodhet nën pushtetin e zjarreve. Shkak nuk kanë qenë vetëm temperaturat e larta, por në shumë raste zjarrvënia ka qenë e qëllimshme, apo nga pakujdesia.

Dëmet në pyje dhe kullota janë të pallogaritshme, ndërsa në shuarjen e tyre janë përfshirë, përveç zjarrfikësve, edhe ushtria apo Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Autoritetet kanë paralajmëruar ndëshkime të ashpra për çdo rast ku do të konstatohet zjarrvënia e qëllimshme.