Zyrat e psikologut në shkolla jofunksionale. Punonjësit thjesht marrin rrogën

DAR GjirokasterNga Brikena Metaj

Prania e psikologut dhe punonjësit të shërbimit social në shkolla është sa domosdoshmëri, aq edhe detyrim. Por pavarësisht kësaj, duket se psikologët e sociologët nëpër institucionet arsimore janë joekzistentë, pasi zyrat e tyre janë jofunksionale. Vetë nxënësit e shkollave pranojnë se nuk kanë folur asnjëherë me punonjësit social të shkollës, madje ka prej tyre që as nuk e njohin atë. Punonjësit socialë ngrenë si problematikë paragjykimet mes nxënësve, përsa u takon bisedave apo takimeve me psikologun dhe sipas tyre, mposhtja e këtij mentaliteti është për ta, pengesa më e madhe. 

Ende nxënësit tanë nuk e pranojnë lirisht psikologun shkollor, duke e menduar atë si një person që merret me nxënësit që kanë probleme të shëndetit mendor. Punonjësit e shërbimit social pranojnë se ky shërbim ende nuk është në nivelin e duhur, ndërsa janë të paktë nxënësit që marrin guximin të trokasin në derën e tyre. Vështirësive të punës së punonjësve të shërbimit psiko-social, u shtohet edhe numri i paktë i tyre, në krahasim me numrin e lartë të nxënësve që mbulon personeli i këtij shërbimi.

Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Rajonale në Gjirokastër, Lindita Rova pohon se aktualisht në të gjithë rrethin Gjirokastër këtë shërbim e kryejnë 5 punonjës, 3 psikologë dhe 2 punonjës socialë ku secili prej tyre ka një normë prej 2500-3000 nxënësish për të mbuluar në dy-tre shkolla, çka bën që këta punonjës të jenë të pranishëm nëpër institucionet arsimore nga një herë në javë në shkollat e qytetit, deri në një herë në muaj në ato rurale. Edhe pse drejtues të shkollave flasin për mirëfunksionim të punës së punonjësve socialë, praktika tregon se përgjithësisht puna e tyre fokusohet në letra, pasi janë pak ose aspak kontaktet e këtyre punonjësve me nxënësit.

Ngritja e njësisë së shërbimit psiko-social në shkolla është miratuar që në vitin 2013, por pavarësisht kësaj, mungesa e besueshmërisë së nxënësve ndaj punonjësve të këtij shërbimi dhe efektiviteti i punës së tyre nisur edhe nga rregullat mbi të cilat është ndërtuar funksionimi i tij bëjnë që ky shërbim të jetë jo funksional dhe me fjalë më të thjeshta punonjësit e shërbimit psiko-social në shkolla të bëjnë sikur punojnë, ndërsa vetë sistemi I këtij shërbimi të jetë joefikas./BW