Zyrtare nga INSTAT, Gjirokastra qyteti që kursen më shumë

Familjet shqiptare përdorin pjesën më të madhe të ardhurave mujore vetëm për blerjen e produkteve ushqimore.Raporti i INSTAT për 2016 tregon se grupi “Ushqime dhe pije jo-alkoolike” ka peshën kryesore në buxhetin familjar me 45.2 %. Pavarësisht kësaj, në krahasim me një vit më parë, familjet shqiptare kanë ulur shpenzimet për ushqime me 3.5 % duke rritur ato për arsim. Gjirokastra dhe Elbasani janë qytetet me shpenzimet më të ulta për konsum.

Pjesa më e madhe e të ardhurave mujore në një familje shqiptare përdoren për blerjen e ushqimeve.

Raporti i INSTAT për shpenzimet e familjeve gjatë 2016 tregon se grupi “Ushqime dhe pije jo-alkoolike” ka peshën kryesore në buxhetin familjar me 45.2 %.

Peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim e zënë artikujt si qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë, bukë dhe mish, ndërsa frutat dhe perimet renditen të fundit.

Por nga të dhënat e INSTAT, konstatohet se shqiptarët po i kushtojnë gjithmonë e më shumë vëmendje arsimit pasi shpenzimet për këtë zë janë rritur me 2.3% gjatë 2016.

Rritja e tarifave në sektorin e arsimit shpjegohet me faktin se gjatë vitit 2016 patëm një rritje të tarifave mesatarisht me 10 për qind për kategorinë master niveli i parë dhe i dytë.

Në vitin 2016, shpenzimet mesatare mujore për konsum në një familje me 4 persona janë mbi 73 mijë lekë në muaj.

Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum pas qarkut të Tiranës, janë Durrësi dhe Shkodra ndërsa me nivel më të ulët të shpenzimeve janë qarku i Gjirokastrës dhe i Elbasanit.