Bursat e studentëve, pakënaqësi nga vendimi i Këshillit Bashkiak Libohovë

bashkia libohoveProçesi i shpërndarjes së bursave për studentët nga ana e Bashkisë Libohovë për këtë vit akademik është shoqëruar me pakënaqësi, sikundër ndodh pothuajse çdo vit në fakt, për shkak të numrit të kufizuar të bursave dhe kërkesës së lartë nga të të rinjve për të përfituar një të tillë. Pak ditë më parë Prefektja e Gjirokastrës, Zamira Rama, kërkoi ribërjen e këtij proçesi nga ana e Këshillit Bashkiak. Shkak për këtë vendim u bë ankesa një prej prindërve, fëmija e të cilit nuk përfitoi bursë.

Qytetari me inicialet Sh.I i është drejtuar institucionit të Prefektit të Qarkut me një ankesë, ku ka parashtruar pretendimet, se sipas tij, ndarja e bursave nga Këshilli Bashkiak i Libohovës është bërë në mënyrë të padrejtë. Kaq ka mjaftuar që prefektja të kërkojë edhe njëherë ribërjen e këtij proçesi. Qytetari SH.I është me statusin e invalidit dhe kjo, sipas tij, përbënte një arsye thelbësore që vajza të përfitonte bursë.

Burime nga Bashkia Libohovë, sqaruan për Libohova Online se Prefekturës i është dërguar një relacion sqarues për çështjen në fjalë, ku argumentohej se në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, përfiton bursë ai nxënës apo student që është vetë me statusin e invalidit, jo prindi i tij. Pas këtij relacioni sqaron më tej burimi, Prefektja Rami ka miratuar vendimet Këshillit Bashkiak për ndarjen e bursave.

Ndarja e bursave për këtë vit akademik, u bë në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak Libohovë për vitin 2014. Pranë kësaj bashkie kishin mbërritur 2 bursa, të cilat, u përgjysmuan duke iu akorduar 4 studentëve. Pra, secili përfitoi nga një gjysmë bursë. Në total ishin 9 studentë që kishin aplikuar për të përfituar trajtim me bursë. Ligjërisht kriteret dhe kushtet e përfitimit të bursës i plotësonin të gjithë, ndërkohë që përmes votimit të fshehte të anëtarëve prezentë të Këshillit Bashkiak, me shumicë votash përfituan gjysmë burse 4 studentë. Nga përfituesit, 3 studentë e kishin përfunduar gjimnazin në Libohovë, ndërsa një student e kishte përfunduar në një kolegj privat jashtë Libohove. Në vlerë monetare, bursa e plotë është 9 200 lekë të reja çdo muaj, kurse gjysmë bursa rrjedhimisht kap një vlerë prej 4 600 lekë të reja në muaj./ © libohovaonline.com