Kalaja e qytetit tim

10385290_10202574703638237_2638586294984854748_nNga Elvis Tosuni

Edhe ajo që është kundër natyrës është pjesë e saj. Një njeri që nuk vlerëson ato që ka përreth nuk mund të vlerësojë asgjë. Fillim pranvere. Dielli i ka “gënjyer” pemët e Libohovës të çelin lulet ende në një kohë të ftohtë. Petalet e para të një peme bajameje skuqin zbehtë murin e kalasë së qytetit. Pozicioni i vështrimit më lejon të dalloj me lehtësi kullat kryesore të kalasë të veshura nga një bimë jogjetherënëse, që duket sikur lëpijnë nga muret e holla kripën e gurit të Dropullit dhe shkëputin prej tij një nga një lidhëzorët e thërrmuar. Është e qartë që kjo kala sot jeton në paqe. Dritaret diku të plota e diku të gjysmuara të japin përshtypjen e një gërmadhë, bedenat dhe ushtat e shkurtra të vendosura në çdo cep të kështjellës shtrembërohen nën baltën e grumbulluar në vite, ku gjelbëron një bar i hollë i llojit tërfil. Qetësinë e kësaj kalaje e prish diku ndonjë kalimtar i lagjes “Kalista” apo një tufë bagëtish të mbajtura për mrekulli nën regjimin e një “stalle” gjigande siç është sot kalaja jonë.

Por çuditërisht, pikërisht sot një gëlim jete ndihet brenda kalasë. Dëgjohen mbytur fjalë të huaja. Ndoshta janë anglezë. Një tingull ngacmues i aparatit fotografik duket sikur ngërdheshet me këtë pamje jo më piktoreske, por katastrofike. Një zë i trashë burrëror ma pret hovin e soditjes sime dhe më ndjell të ndiej nën një vigjilencë të pashoqe, një histori krenarie për një vend që pat ekzistuar dikur. Edhe pse çdo fjalë e dëgjoj qartë, një frazë më vjen e mbytur, e shuar thuajse nuk më besohej ajo që dëgjoja, por zemra më dëshironte të kundërtën. Po mundohem të riprodhoj shumicën thelbësore të asaj që burri me zërin e trashë po përpiqej t’ia ngjeshte në mendje dëgjuesve veshhapur. Kalaja e Libohovës është ndërtuar në kohën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës, pashait të Janinës. Ai konsiderohet si një nga ndërtuesit më të medhenj në jug të vendit dhe këto ndërtime e justifikojnë plotësisht politikën e tij. Në këto ndërtime,- thoshte burri me zërin e trashë; dallojnë stili dhe arkitektura nga zonat e tjera të vendit edhe pse një pjesë e kështjellave u ndërtua në vendet ekzistuese.

Këto shërbenin për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme. Një dukuri e veçantë,- vazhdoi burri me zërin e trashë, është se në Libohovë dhe Gjirokastër krahas kështjellave ngriheshin shtëpi të larta dhe me punime guri të gdhendur. Me një lëvizje të dorës në drejtim majtas, burri u tregoj shembullin e një shtëpie të tillë që ka më shumë se gjysmë shekulli që është degraduar dhe e ka humbur hijeshinë e dikurshme. Burri, me zërin e trashë, filloi të më gdhente në kokë se kalaja ishte rrënuar dhe e rrafshuar. Ai vazhdonte të ecte nën një stil ushtarak , dukej sikur skiconte mbi tabanin e qullët të sheshtë një katërkëndësh në formë drejtkëndëshi. Dukej që po u jepte një pamje grafike rrënojave. Burrit, që tashmë po i humbiste zëri nga era e fortë, u afrua afër disa harqeve gjigandë të veshur jashtë e brenda me bimë kacavjerrëse që pikonin bulëza të ftohta uji.

Sarajet e Asllan Pashalliut,- shtoi burri me një zë saktësues, u ndërtuan në zonën e kalasë, aty ku është sot kalaja ekzistuese nga fundi i shek XVIII. Sarajet bashkë me muret rrethues të konstruktuar përfundimisht krijuan një asambël të mrekullueshëm arkitekturor dhe mbrojtës në një nga pikat më dominuese të qytetit të Libohovës. Burrit, me zërin e trashë jo vetëm, që i pëlqente gjëmimi që merrte zëri i tij nën harqet e larta prej guri,por e tërhiqte edhe vëmendja e dëgjuesve veshhapur që nuk po i ndienin pikat e ujit që ua kishin qullur trupin si dhe aromen e pakëndshme të një grumbulli plehrash të fluturuara aty nga era apo nga dora njerëzore. Ato strukeshin në cepat e mureve sikur të ishin pjesë e pandarë e tyre dhe nuk dëshironin të iknin. Burri e rinisi bisedën e vazhdoi t’ju thoshte: -Pashai që kishte lidhje me Perandorinë Osmane dhe që kishte drejtuar për dy shekuj Pashallëkun e Janinës ishte shquar për kontribut ndaj Portës së Lartë. Më konkretisht, Sarajet e tij një dëshmi e gjallë e kësaj dinastie. Një degë e Pashallinjve, Sulejman Beu u vendos në Libohovë,- vijoi burri, – në një shtëpi tek kopshtet e Beut, më vonë u ndërtuan sarajet aty ku është kalaja.

Këtu interesimit tim i erdhi fundi dhe po shihja tërë kërshëri pamje të varfëra, mure të veshur me myshqe, tek – tuk në mes të kalasë një trung peme i kalbur, një pellg me ujë të zi. Në krah të majtë një kasolle e madhe e mbuluar me llamarinë ngjyrë gri, një hambar i mbushur gjysmë bosh me zahire për një grup bagëtish. Në mes të këtij drejtkëndëshi me mure të holla një zonë e madhe, mbuluar me gjëmba zbardhte nga guralecët që i ka larë vesa e mëngjesit. Dikur aty, jo para shumë vitesh, luheshin ndeshje futbolli, tashmë kalanë po e mpin pleqëria. Mandej një hark gjigand që mund të ketë shërbyer si portë hyrëse mbyllej nga një pirg gurësh, një sasi e konsiderueshme hekuri të ndryshkur, ca goma zetori dhe larg aty më në cep një kullë e thyer dhe gurët që skuqnin nga balta prehen nën këmbet e disa shkallëve.

Aty pak më në të djathtë ngrihen njëri më lartë se tjetri në formën e shtizave një grumbull bimësh të pangrënshme, të gjalla, por që duket si të thata. Pastaj, pikërisht m’u aty në krah gjelbëron një bimë e frikshme në formën e gjuhës së gjarpërit. Toka aty ulet e ngrihet, krijon gunga në formë varri sikur ruan kujtime të vjetra. Në mbyllje të drejtkëndëshit me mure të holla ngrihen të plota dhe të vëna rradhë një sëra harqesh gjigande që fshehin brenda tyre ende burrin me zërin e trashë dhe grupin e turistëve veshhapur. Sarajet e ndërtuara ishin me të vërtetë një kështjellë në kuptimin e plotë të fjalës, – vazhdonte sqarimin burri, që tashmë kishte gjithë vëmëndjen. Ajet Libohova, vëllai i Myfyt Libohovës thoshte se më parë u ndërtuan muret e rrethimit me gurë të bardhë të gdhendur me mjeshtëri të rrallë. Katër kulla kishte kalaja në katër qoshet e saj që ishin me tabi e prëngji që burri nisi t’i numëronte.

Meqë në Libohovë s’kishte gur të përshtatshëm ata u prurën nga Mali i Gjerë që është përballë Libohovës. Transporti ishte i vështirë dhe thuhet se qindra punëtorë u vunë në rresht dhe transportuan për një kohë të gjatë të gjithë gurin e nevojshëm. Pasi era kishte pushuar, burri doli nga harqet dhe filloi të ecte. Ai nisi të thoshte: Në anën veriore u ndërtuan Sarajet që mbulonin gjithë oborrin dhe kishte nga një kullë në mes me katër dhoma kryesore në katër qoshet. Ndërtesa kishte 60 dhoma. Kudo kishte ujë të rrjedhshëm dhe ambient madhështor. Kjo kështjellë ishte e tipit “fortesë“ prandaj kullat mbroheshin me topa me frëngji dhe ishin ndërtuar ulluqe për të derdhur vaj të nxehtë. Kjo dukuri u përdor tek xhirimet e filmit të Skënderbeut,- shtoi burri. Sallat e mesme (divanet) ishin 50 metra të gjata. Tavanet i kishin punuar me daltë ca mjeshtra të prurë enkas për atë punë që nga Venediku.

Ato mbuloheshin me varak ari që shndërrinte dhe ishin të punuar me dru cilësor arre, tipike e një modeli arkitektonik të shekullit të XIX në Shqipëri. Burri që tashmë po i shndërrinin ca pika djerse mbi ballë, u kërkoi ndjesë dëgjuesve dhe u ul në një copë muri që rrezik shembej. Zgjati fytyrën dhe foli: -Ekzaktësisht këtu, jashtë rrethinave që përmbanin pjesën e banesës (harremin), përmbi këtë oborr që gjendet pas meje rrethuar nga muri ku jam ulur gjendej selamllëku (vendqëndrimi i burrave) që ishte një kopje e harremit, por pak më i vogël. Burri lëvizi sërish duke u drejtuar nga L – P dhe hapi duart në formë gjysëm harku duke shtuar: Rreth këtij oborri ishin dhomat për rojet, magazinat ushqimore ku nuk mungonin; biskotat, reçelrat, çajrat, drithërat, vera e bardhë dhe e kuqe, bulmeti; aty madje ishin dhe garderobat e gjithë banorëve të fortesës. Në atë moment unë kisha zbritur këmbadoraz nga bedena veri-perëndimore e kalasë dhe iu afrova në heshtje turmës, hapa veshët dhe dëgjova.

Për mirëmbajtjen e kalasë përdoreshin taksat e pazarit që ishin pasuri e pashallinjëve të tyre. Sikur burri të kishte lexuar mendjen time filloi të fliste sërish për pjesën e ndërtimit. Kalaja apo muret rrethuese që konturuan përfundimisht brenda tyre sarajet shfaqeshin në forma të mprehta dhe kërcënuese karshi bostanit të Beut në lagjen Linua. Siç e shihni, punimi është i përsosur dhe me gur të latuar. Ja dhe kornizat në formë trungkonike të theksuara të kullave që fshehin në të vërtetë dobësinë e mureve të kështjellës që në bazë nuk kanë trashësi më të madhe se 1.4 metra dhe një trashësi me 0.7 metra në pjesën e sipërme. Burrit në këtë moment po i ziente fytyra, sytë i ishin skuqur dhe fjalët i nxirrte si me grep, dukej që nuk kishte më informacion, ndaj aty ndërhyra.

Me leje zotëri, më lejoni t’i informoj të huajt për disa hollësi që j’u shpëtuan. Ju lutem,- m’u drejtua me nje buzëqeshje sikur t’i kishte shpëtuar gijotinës. Këtu fillova: Kalaja ka një sipërfaqe 3500 m2 (50×70) dhe është e ndërtuar në një platformë shkëmbore të thepisur nga jug – perëndimi dhe kufizohet nga rrëpirat e Gushnicës, të cilat ndodhen mbrapa murit që kemi mbrapa nesh dhe me qendrën e qytetit. Nga këto dy drejtime, siç mund të shihni, mbrojtja e kalasë ishte e sigurt dhe pushtimi i pamundur. Sarajet dhe muret rrethues i dhanë atij kompleksi një shkëlqim, një elegancë dhe madhështi që tregonte fuqi ekonomike dhe politike të familjes së Libohovës. E vërteta që vjen pas këtyre pamjeve që shihni sot është më e hidhur. Nga fundi i shekullit të XVIII kjo kështjellë filloi të dregadohej mbasi pasardhësit e fundit dhe djemtë e Riza Beut nuk u kujdesën as për kështjellën e as për pazarin që siguronte fondet për mirëmbajtjen, gjë që i mohoi Libohovës gjallërinë e dikurshme. Me kalimin e kohës, degradimi vazhdoi me ritme të shpejta. Meqë pasardhësit e fundit u larguan nga Libohova nga frika e grabitjes, sarajet filluan të rrënoheshin. Banorët përreth filluan të prisnin arrat shekullore dhe pemët gjigande që gjendeshin në kopshtet magjepsëse. Më vonë brutaliteti njerëzor vazhdoi me zhvatjen e trarëve, tavaneve të gdhendur, gurëve, paisjeve, madje ata filluan të shkatërronin dhe të thyenin me forcën njerëzore atraksionin më të rallë që mundet ndonjëherë ti jepet Libohovës.

Koha, grabitjet e plaçkitjet e rrënuan dhe e sheshuan përfundimisht këtë kujtim të fundit të një kohe dhe periudhe të shkëlqyer dhe të harruar përjetë. Nuk më mbeti gjë tjetër veç t’i drejtoja turistët e fundit të dilnin nga ngrehina drejtkëndore. Po na thahej buza për ujë dhe këmbët i kishim të përbaltura. Ecja drejt mbi një kalldrëm të pastër, të shtruar bukur me gur të bardhë e të latuar, anës meje gjendeshin disa bordura të vogla me gur të kuq, një vend pushim ku qëndronin fuqishëm dy stalla.

Ecja drejt portës së madhe që nxinte nga boja e porsalyer. Mbi të kurorëzohej një hark i vjetër guri, ku diçka shkruhej. E shtyva portën i pari dhe hyra në një dhomë me katër mure që m’u dukën aq të bukur. Dolëm aty ku gjendej kopshti më magjepsës. U ndala. Këtu u thashë rreshtoheshin mimozat më të bukura që keni parë, degët e tyre vareshin në tokë dhe fshinin papastërtitë. Këtu krah meje ngriheshin bordura me bime ligustre që jeshilonin, të larta sa një bojë njeriu. Ja këtu, ku kam vënë këmbët, ndodhej një tavolinë guri e madhe e rrethuar nga stola, stolat të rrethuar nga trëndafilat. Trëndafila nga të gjitha llojet: të bardhë, të kuq, rozë, të verdhë dhe poshtë këmbëve të tyre rritej një bar i shëndoshë. Unë ecja dhe ndalja. E ndieni aromen e mimozave, oh ç’aromë e mirë, sa bukur të jesh në kalanë e Libohovës!

Dy nga turistet po villnin vrer, kishim ndaluar m’u përpara një pirgu me jashtëqitje kafshësh dhe une këmbëngulja që mos të iknim. E ndieni aromën e mirë tj’u thoshja? A sa bukur të jesh në Libohovë!! I luajta këmbët ca hapa më tej dhe shtyva me delikatesë dhe respekt një portë të madhe hekuri që renkonte dhimbshëm, kishte kohë që nuk hapej. Ecja i shoqëruar nga turistet në një kalldrëm të shëmtuar, që kishte krijuar bark dhe lyhej nga balta e zezë pjesë e jashtë kalasë. Vështrimi më nxirrte nga kalaja, por isha ende brenda. Ktheva kokën dhe shihja me soditje muret në ngjyrë gri, diku të veshur, diku të zhveshur nga bime jogjetherënëse. Vazhdoja të ecja mbrapa dhe vuaja ikjen. Më dukej sikur kisha jetuar një shekull nën embëlsinë e kësaj ndërtese titanike.

U përplasa me shpinë në një portë ngjyrë blu e punuar me hekur të trashë të kohëve të fundit, por që nuk ishte aspak e barabartë me copëzat arkaike që rezervon ende kalaja. Ishte e fundit portë, i fundit hark dhe jo prej guri, por prej betoni të derdhur trashë dhe pa esencë. I përcolla nga porta e fundit të gjithë turistet dhe kur si rrëke e papritur më rrodhën lotët. Fsheha kokën nga turpi. Turistet nuk duhet të qeshin me ato që ne ndiheshim krenar, ato janë pjesë e identiteti dhe nderit tonë,- i thashë vetes. Pema e bajames kishte rrëzuar qindra gjethe që skuqinin rrugën ku ecnin. E shihni,- i’u thashë. Natyra këtu ta shtron rrugën me trëndafila. Tashmë jashtë kalasë na përplasej në fytyrë një invazion aromash të këndshme dhe përkëdhelëse. Heshtjen dhe qetësinë e rrugës së kthimit e theu një qen i vendosur mbi murin e kalasë, që lehte me një zemërim të dukshëm dhe sytë i lëshonin xixa.

Ende është një fortesë,- iu thashë, ende ruhet, aty asgjë nuk e ka humbur kuptimin, vetem ka ndërruar trajtë si çdo gjë e natyrës. Turistet qeshën dhe më thanë:- Nuk është e nevojshme që të bëhesh avokati i diçkaje që flet. Ne erdhëm, pamë dhe u mahnitëm dhe ikim prej këtej me përshkrimin që ju na dhatë, të një kështjelle të rivitalizuar dhe themi se qiellit të kalasë i duhet vetëm vëmendje, sepse ai nuk ben kursime për vizitorët. Mirupafshim përfaqësuese e dinjitetit libohovit, unë nuk do harroj t’i hedh sytë nga ty çdo mëngjes! 

Shënim/ Eseja e mësipërme është shkruar në 23 mars 2014 në kuadër të një eventi kombëtar, me pjesëmarrjen e nxënësve të moshave të ndryshme nga qyteti i Gjirokastrës, Beratit, Tepelenës, Sarandës etj.  Synimi ishte që përmes krijimeve të nxënësve të prezantohej gjendja e kështjellave të qyteteve shqiptare. Aktiviteti ishte një nismë e z.Niko Mihali, përfaqësues i seksionit shqiptar të CIOFF, i cili përmes edhe donacioneve të ndryshme arriti të ndërmerrte këtë nismë. Eseja e Elvis Tosunit, ish-maturant i gjimnazit “11 Shkurti”, Libohovë, u vlerësua me Çmimin e Parë.