Marrin dëmshpërblimin 425 ish-të përndjekur

te perndjekuritMinistria e Financave ka shpërndarë dëmshpërblimin për 425 ish-të përndjekur. Dikasteri ka publikuar listat emërore të ish-të përndjekurve dhe trashëgimtarëve të tyre që përfitojnë pagesën. Në listën e parë prej 130 emrash janë publikuar emrat e të përndjekurve të cilët e përfitojnë për herë të parë dëmshpërblimin. Përbri çdo emri gjendet numri i dosjes, numri i vendimit të Këshillit të Ministrave përmes të cilit i është njohur e drejta e dëmshpërblimit, si dhe gjendja fizike e ish-të përndjekurit (nëse është vdekur apo gjallë). Në listën e 285 ish-të dënuarve që përfitojnë këstin e dytë është vendosur edhe emri i bankës ku është derdhur kuota e dëmshpërblimit. 

Dosjet 
Ndërsa bën me dije se ka hedhur në faqen e vet zyrtare të gjithë emrat e përfituesve të ish-të përndjekurve dhe trashëgimtarëve, ministria sqaron se: “Kur dokumentacioni është i rregullt shënohet me V, kur mungon shënohet me X, kur kanë autorizuar me prokurë shënohet me P”. Ngjyra e kuqe mbi numrin e dosjes tregon se dosja ka mangësi, ndërkohë që ngjyra jeshile mbi numrin e dosjes tregon se dosja është gati për pagesë, por kujdes, para se të dërgohen në bankë bëhet edhe një kontroll i fundit, i cili mund ta ndryshojë ngjyrën dhe gjendjen e dosjes nga jeshile – e gatshme për pagesë, në ngjyrë të kuqe – jo të gatshme për pagesë. Listat në internet përditësohen çdo ditë të martë. “Ato dosje numri i të cilave nuk ka ngjyrë, tregon se këto dosje janë në proces verifikimi ose të interesuarit nuk kanë prurë asnjë dokument në Ministrinë e Financave”, thekson ministria. 

Trashëgimtarët
 

Ministria informon se të gjithë trashëgimtarët e ish-të dënuarit duhet të sigurohen pranë bankës në të cilën kanë hapur llogarinë që llogaria e tyre është aktive. “Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet, duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme”, thekson njoftimi. Kur ekzistojnë ndryshime të identitetit, Emër/Mbiemër, apo në rastet kur në certifikatë ndryshon emri ose mbiemri, qoftë edhe me një germë të vetme në krahasim me dëshminë e trashëgimisë apo prokurës, kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm, duhet medoemos që në të gjitha dokumentet emrat të jenë të njëjtë me atë që është shkruar në certifikatën e lëshuar nga gjendja civile. Në raste se ka transkriptime të gabuara gjatë kohës nga një certifikatë e një periudhe të caktuar, atëherë këto ndryshime duhet të pasqyrohen brenda formatit të certifikatës apo edhe të një vërtetimi të veçantë të lëshuar nga zyra e gjendjes civile. 

Dosjet 
Përmes një njoftimi të publikuar në faqen e saj zyrtare, Ministria e Financave i fton të përndjekurit të paraqiten për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e kësteve. Gjithashtu dikasteri informon se dosjet e paplota do të kalohen në fund të procesit të ndarjes së kësteve. “Pagesa do të kryhet për të gjithë trashëgimtarët e ish-të dënuarit politik. Trashëgimtarët duhet të dorëzojnë dokumentet e kërkuara sipas dispozitave ligjore në fuqi. Dosjet jo të plota do të lihen për në fund të procesit të pagesës së këstit të parë, qoftë edhe sikur të mungojnë dokumentet e një personi të vetëm përfitues të dëmshpërblimit”, thekson në njoftim ministria./GSH

Libohova Online