Rruga drejt Zagorisë, në harresë prej dy dekadash (Foto)

 Rruga drejt Zagorisë, në harresë prej dy dekadash (Foto)

01Derisa vjen te kthesa e Libohovës rruga është e mirë, e shtruar me asfalt. Nëse puna ta do të udhëtosh drejt Zagorisë apo Pogonit, siç kjo tabelë këtu të orienton, duhet të mendohesh mirë. Segmenti rrugor, prej kësaj tabele e deri në Zagorinë e largët, s’e ka parë kurrë asfaltin. Premtimet e qeveritarëve, deputetëve dhe kryekomunarëve kanë mbetur veç në letër, veç në studio televizive apo në takime zgjedhore teksa u kërkonin votat banorëve të kësaj zone.

Për hir të së vërtetës është një segment rrugor relativisht i gjatë dhe deri diku në terren pak të vështirë, të paktën pjesa mbi fshatin Suhë e lart, por ndërkohë kjo nuk e justifikon me hiçgjë indiferencën shtetërore përgjatë gjithë 23 viteve. Sikur çdo vit të shtrohej nga pak, sot në vitin 2014 kjo rrugë s’do të ishte më makthi i shoferëve dhe banorëve të kësaj zone. Po kështu s’do të ishte më makthi i atyre vizitorëve që duan të shkelin Zagorinë e Çajupit; malet dhe fushat piktoreske, kishat mijëra vjeçare e të tjera bukuri natyrore të kësaj zone nga më të famshmet në Shqipëri.

Potencialet për zhvillimin e turizmit malor në këtë zonë janë të jashtëzakonshme, por kur mungojnë investimet në infrastrukturë, të paktën në rrugë, njerëzit nuk shohin perspektivë, prandaj zgjedhin të ikin, ndërsa vizitorët hezitojnë të shkelin këtyre anëve. Përmes kësaj rruge kalohet edhe për të shkuar në kishën bizantine të Labovës së Kryqit, monument që tërheq një numër të konsiderueshëm vizitorësh çdo vit.

Me ndarjen e re administrative për këtë segment rrugor do të jenë të interesuara dy bashki, ajo e Dropullit dhe e Libohovës. E Dropullit do të duhet të interesohet sepse përmes kësaj rruge shkohet në Komunën Pogon, që nga reforma territoriale ngeli pjesë e Bashkisë Dropull. Bashkia e Libohovës do të duhet të interesohet sepse përmes këtij segmenti shkohet në Komunën Zagori, të cilën reforma territoriale e shkriu me Bashkinë Libohovë. Sigurisht që përtej këtyre dy bashkive, duhet që vetë qeveria ta ketë në prioritet e saj këtë rrugë dhe të investojë. Do të duhej të ishte një udhëtim piktoresk ai përtej kësaj tabele të vendosur te kthesa e Libohovës, sepse natyra është treguar mjaft bujare me këtë krahinë, por në fakt është një rraskapitje për këdo që i hipën makinës drejt Zagorisë apo Pogonit, rraskapitje edhe për banorët që jetojnë ende në këto fshatra.  

03

02

Libohova Online