Studimi, rritje në kapacitetet akomoduese në Gjirokastër, problem shërbimi në muajt e pikut

gjirokaster01Kapacitet akomoduese në qarkun e Gjirokastrës janë rritur me 6% krahasur me një vit më parë, ndërkohë që kalaja e Gjirokastrës mbetet objekti më i vizituar. Këto të dhëna dalin pas një studimi të realizuar nga Zyra Rajonale e Shërbimit Turistik. Denisa Pesha, drejtoresha e kësaj zyre, në një intervistë për televizionin publik Gjirokastra thotë ndër të tjera se është konstatuar që në muajt e pikut, shërbimi ka qenë i ngadaltë pasi fluksi i lartë i turistëve nuk është shoqëruar me zgjerim të personelit.

“Kalaja e Gjirokastrës është vizituar deri në fund të muajit korrik nga 13 704 turistë të huaj. Muaji gusht dhe shtator kanë shënuar një tjetër fluks. Shërbimi ka qenë kryesisht i mirë dhe ka pasur impresione pozitive nga vizitorët, por sigurisht që ka edhe mangësi. Në kohën e fluksit shërbimi është pak i ngadaltë. Kjo duhet të shoqërohet me zgjerim të personelit të shërbimit”, – shprehet Pesha.

Edhe në këto muaj vjeshte, Gjirokastra vazhdon të vizitohet nga një numër i lartë turistësh, që kryesisht vijnë nga vendet e lindjes por edhe vende të tjera europiane e më gjerë. Problem për turizmin në Gjirokastër dhe në të gjithë vendin, mbetet kufizimi i tij në pak muaj. Edhe pse vendi ynë ka potenciale të shumta, akoma nuk kemi vizitorë gjatë gjithë muajve të vitit.

 

 

Libohova Online