Të krishterët e Libohovës pa një kishë

Orthodox_Church--dome&Cross“Çupreli” dhe “Kalistaja” kanë qenë historikisht dy prej dymbëdhjet lagjeve të Libohovës, ku banonin qytetarë të besimit të krishterë ortodoksë. Edhe sot ka të tillë, pavarësisht se një pjesë e tyre jetojnë në emigracion. Ndërsa vite më parë Libohova kishte 3 kisha në territorin e saj, sot nuk gëzon asnjë të tillë. Sigurisht që ky është një problem për besimtarët, të cilët shpesh shkojnë në kishat e Dropullit apo Gjirokastrës sa herë janë Krishtlindjet, Pashkët apo të tjera ngjarje të shënuara në kalendarin e tyre fetar.

Përveç kësaj, tashmë që Libohova e ka një xhami funksionale dhe disa mekame, mungesa e kishës sikur bie më shumë në sy. Jo për xhelozi apo karshillëk ndaj myslimanëve, por ndërtimi i një kishe funksionale në Libohovë do ta kompletonte qytetin nga pikëpamja e objekteve të kultit që i shërbejnë besimtarëve. Përveç kësaj, ekzistenca e një kishe do t’i jepte Libohovës fizionominë që sot kanë pothuajse të gjithë qytetet e Shqipërisë, ku krahas xhamive janë edhe kishat apo krahas kishave janë edhe xhamitë. Pikërisht prezenca e këtyre objekteve të kultit flet më së pari për atë vlerë që ne krenohemi sot nëpër botë, bashkëjetesën fetare.

Nga ana tjetër, rindërtimi i këtyre kishave duhet parë jo vetëm si një investim shpirtëror, por edhe historik. Investim mbi objekte që janë pjesë e historisë së Libohovës dhe memories kolektive të qytetarëve që kanë jetuar e jetojnë në këtë zonë. Në tre kishat historike të Libohovës; kisha e Shën e Premtes, kisha e Stojanit dhe Kisha e Shën Kollit, sot zor se gjen edhe gjurmë të tyre. Ndërkohë që në Kishën e Re të ndërtuar mbi kalanë e qytetit, godina është po ajo e ndërtuar në vitin 1938, por që pas marrëzisë komuniste të vitit 1967 është përshtatur në shtëpi banimi, ku sot e kësaj dite jetojnë dy familje.

Kush duhet ta ndërtojë kishën e re të Libohovës? Së pari, vetë besimtarët duhet të vihen në lëvizje, të organizohen, të formalizojnë kërkesën e tyre dhe ta paraqesin pranë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Pse jo të ndihmuar edhe nëpërmjet pushtetit lokal, i cili mund të lehtësojë proçedurat për ndërtimin e këtij objekti, njësoj siç bëri edhe me xhaminë e ngritur rishtaz. Në kushtet kur ka mjaft probleme të tjera që s’po i jepet zgjidhje, ndoshta është luks i madh të kërkosh që projekti të financohet nga qeveria apo bashkia. Ndaj, sytë duhen drejtuar prej institucioneve të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Libohova duhet të ketë një kishë funksionale.